![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/03/kurti-e-peci.jpg)
Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në një konferencë për media ka njoftuar se do t’i subvencionojnë bujqit në Kosovë me 50 milionë euro
Peci ka thënë se për herë të parë bujqit do të subvencionohen edhe me naftë.
“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq karshi rritjeve të çmimit të produkteve. Përkrahja do të jetë për drithëra, patate, fasule e të tjera. Kemi në dispozicion rreth 50 milionë euro. Do të subvencionojmë bujqit dhe fermerët”, ka thënë Peci.
Më tutje, ministri Peci ka thënë se nuk do të mbetet asnjë pëllëmbë e tokës pa u punuar.
“Toka është pasuri, duart më të vlefshme janë ato që e punojnë tokën”, është shprehur ai.
Ndryshe, në konceptin e risive të Programit për pagesa direkte – subvencione 2022 është thënë se “për herë të parë që nga paslufta, fermerëve dhe bujqve tanë do t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro, duke ia subvencionuar vlerën prej 0.36 cent për çdo litër naftë të përllogaritur me hektarët e poseduar të tokës së punuar”.