Qeveria ndan 500 mijë euro për Vitin e Skënderbeut
Qeveria ndau sot 500 mijë euro për aktivitetet që do të shënojnë Vitin e Skënderbeut në kohën kur po bëhen 550 vjet nga vdekja e tij.
Kryeministri Ramush Haradinaj propozoi ndarjen e 943 mijë eurove.
“Një numër i aktiviteteve të parapara ndër shqiptare megjithatë propozoj që të ndahen 943 mijë euro prej të cilave 250 mijë do të përdoren për restaurimin e kishës në Prizren”, tha Haradinaj.
Por ministri Bedri Hamza tha se paratë nga rezervat e shtetit po shkojnë drejt fundit dhe u bëri thirrje pjesëtarëve të kabinetit qeveritar që me kohë kërkesat buxhetore t’i paraqesin nëpër ministri.
“E para për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat që t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta nga çdo njëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta duhet me pas kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, tha Hamza, raporton kallxo.com.
Ai kërkoi pastaj që të ndahen vetëm 500 mijë euro për “Vitin e Skënderbeut”.
“Deri në 500 mijë euro ne kemi ardhë me përkrah. Propozimi i Ministrisë së Financave është që të ndahen 500 mijë euro 250 mijë për restaurim të kishës e 250 mijë për zhvillimet e tjera. Pra totali 500 mijë”, tha Hamza.
Pastaj kabineti qeveritar miratoi propozimin e Hamzës.