Qeveria ndan fond emergjent për komunën e Mamushës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, dhe deputetët nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Fikrim Damka dhe Mufera Shinik, që janë pjesë e Grupit Parlamentar 6+ në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, është biseduar për të arriturat në komunë, investimet në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe për prioritetet e qeverisë në përkrahje të bujqve të Komunës së Mamushës.
Kryeministri Haradinaj është njoftuar nga kryetari Krasniq, për dëmet që u janë shkaktuar ekonomive familjare dhe bujqve të Mamushës nga reshjet e shiut.
“Kemi marrë obligimin që sikur edhe për komunat tjera të prekura nga vërshimet, ashtu edhe për Mamushën të ndajmë një fond emergjent, kurse dëmet tjera në infrastrukturë dhe biznese, Qeveria do t’i marrë obligimet e veta në bazë të vlerësimit të ekspertëve të komunës, Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Infrastrukturës”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për të mbështetur komunën e Mamushës.
/Epoka e re/