Qeveria ndan mjete buxhetore për policinë dhe veteranët e UÇK-së
Qeveria në detyrë në mbledhjen e së martës ka marrë disa vendime të cilat kanë të bëjnë me çështje buxhetore.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se në këtë mbledhje, Qeveria ka vendosur që nga kursimet dhe ndarjet buxhetore të këtij viti të ndajë prej 2 milionë e 52 mijë euro për kompensimin e shtesave në pagë për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës gjatë vitit 2018.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndër të tjerash unanimisht miratuam Platformën Vjetore të Politikave të Inteligjencës dhe Sigurisë, si parakusht për funksionimin e këtij sektorit të rëndësishëm për vendin. Po sot, miratuam projekt rregulloren për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me strukturën e gradave të organizimit të brendshëm, veprim ky që përkon me zotimet tona për forcim dhe avancim të FSK-së. Qeveria sot vendosi gjithashtu që nga kursimet dhe ndarjet buxhetore të këtij viti të ndajë shumën prej 2 milionë e 52 mijë euro për kompensimin e shtesave në pagë për punën jashtë orarit për Policinë e Kosovës gjatë vitit 2018”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu, ai ka bërë se në këtë mbledhje është marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
“Është miratuar edhe Rregullorja për shtesën e rrezikshmërisë në punë për Policinë e Kosovës që do të hyjë në zbatim bashkë me Ligjin e pagave. Me vendim qeveritarë, sot u bë edhe ndarja e mjeteve financiare për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Aprovuam në parim nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe me Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për vitin 2018, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar, IPA II mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/