Qeveria ndan mjete shtesë për prokurorët që luftojnë korrupsionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se prokurorët specialë që ndjekin rastet e korrupsionit do të marrin shtesa në pagë.
“Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, mund të krenohemi me ligjet e reja, që fuqizojnë sundimin e ligjit në fushën antikorrupsion. Me qëllim të zbatimit të këtyre ligjeve në praktikë, në mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të vendosim për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit”.
“Prokurorët specialë, të cilët ndjekin këtë fushë, nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit. Për këtë, sistemit të drejtësisë duhet t’i vijnë në ndihmë edhe qytetarët dhe shoqëria civile, duke bashkëpunuar ngushtë, që në një të ardhme të afërt, të jemi dëshmitarë se shteti i së drejtës do të triumfojë në këtë betejë”, ka thënë Haradinaj në hapjen e Javës Kundër Korrupsionit.