Qeveria ndanë 60 milionë euro për subvencionimin e pagave të bizneseve
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi në mbledhjen e qeverisë, ka thënë se subvencionimi përfshinë edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.
“Sipas Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sipas vendimit të Qeverisë së datës 13 gusht, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ndahen 60 milionë euro, ndarja bëhet për subvencionimin e pagave për bizneset aktive bazuar me numrin e të punësuarve, të deklaruar në deklaratën e tatimit të muajit dhjetor 2019 që plotëson kushtet në vijim: të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv për muajin korrik dhe të kenë të dorëzuar deklaratën tremujore”, tha Bajrami.
Sipas saj, nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët.
“Subvencionimi përfshinë edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020. Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët”, u shpreh Bajrami.