Qeveria ndanë miliona euro për pagesa shtesë për Doganën, ATK-në, AUV-in dhe Shërbimin Korrektues
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese/elektronike, e 69-ta me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera sipas përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, këto mjete janë ndarë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
“Qeveria ka ndarë mjete financiare për pagesën e shtesës në pagë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, ATK-në, dhe AUV-në, për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë Covid-19, si dhe plotësim ndryshimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me mjetet nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në këtë mbledhje, janë ndarë 8 milionë euro për Ministrinë e Ekonomisë për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë.
“Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ju ndanë 8 milionë euro, për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë”, ka njoftuar qeveria.
Në këtë takim, Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë për ndarjen e 40 mijë eurove për mbështetjen e punëtorëve.
“Qeveria ka aprovuar kërkesën e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000 euro për mbështetje financiare për punonjësit e saj”, është theksuar në njoftimin për media.