Qeveria ndau 1 milionë euro për Luginën, Arifi publikon skemën e përfituesve: Taksapaguesit kosovarë u vodhën brutalisht
Ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim që të ndajë 1.2 milion euro për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Pak informacione u dhanë nga qeveria për destinimin konkret të mjeteve.
Kjo ndarje po i duket e dyshimtë kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Arifi për Gazetën Sinjali kishte thënë se Kurti këto mjetet i ka për t’i ndarë me siç thotë ai “me shoqatat dhe servilët e Kurtit”.
Arifi ka reaguar edhe sot, duke thënë se 273 mijë e 825 euro nga ajo shumë, kanë shkuar te njerëz të afërt me Partinë për Veprim Demokratike.
Arifi shprehur keqardhje për taksapaguesit e Kosovës, sic ka thënë ai, për vjedhjen që po u bëhet.
“Sinqerisht, më vjen keq për taksapaguesit e Kosovës, që në këto ditë të vështira u vodhën brutalisht nga një subjekt keqbërës dekador në Luginën PVD është sinonim i korrupsionit në Luginë, tani kjo faktizohet edhe njëherë pasi kanë zhvatur edhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Arifi.
Arifi, gjithashtu, reagimit të tij ia ka ngjitur një skemë me imazhe që shfaqin njerëzit dhe organizatat që përfituan nga këto fonde.
Ndryshe, kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar e Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi pasi Qeveria e Kosovës ndau 1.2 milion euro për Luginën e Preshevës, ka thënë se me këtë buxhet janë paraparë 78 grante për projekte mbi 1 milionë euro, 107 bursë vjetore prej 1.000 euro dhe 4010 nxënës libra falas deri 255 mijë euro.
Ai ka shkruar se pret që në vitet në vijim kësaj mbështetje t’i bashkohet edhe Shqipëria.