Qeveria në detyrë shkarkon bordin e Postës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirr mbledhjen korresponduese (mbledhja elektronike) në të cilën janë miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë në detyrë.
“Udhëzimi Administrativ për Përcaktimin e Procedurave për Shkatërrimin e Strukturave të Paligjshme, është dokumenti i parë që ka marr miratimin nga kabineti qeveritar. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktimi i procedurave për aplikimin e mjetit juridik shkatërrimit të strukturave të paligjshme nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës lidhur me zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe aktgjykimeve të Panelit të Ankesave pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, edhe vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A., është aprovuar nga kabineti qeveritar. “Sipas Ligjit, Qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka “arsye për të besuar” se kanë shkelur detyrat fiduciare. Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje”.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar:
- Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor;
- Kujtim Shala, drejtor;
- Sajmie Thaci, drejtore; dhe
- Blerton Abazi, drejtor.