Qeveria, në fazën e përgatitjes së padisë për gjenocidin e Serbisë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, thotë se kanë biseduar me Qeverinë e Kosovës sa i përket padisë për gjenocid të Serbisë dhe se nga ta janë njoftuar se janë në fazën e përgatitjes për ta bërë këtë.
‘’Ne kemi biseduar për këtë me qeverinë dhe komisioni është njoftuar se janë në fazën e përgatitjes, sepse kanë procedura shumë komplekse për të dorëzuar. Herën e fundit kur kemi biseduar me qeverinë, kanë thënë se jemi duke menduar për këtë, se jemi në fazën e përgatitjes, por nuk e di ku ka mbërritur puna deri tani’’ thotë deputetja Balje.
Ajo thotë se për këtë gjë përgjegjëse është qeveria.
‘’Për këtë duhet biseduar me qeverinë. Ne s’e bëjmë atë, e bën qeveria. Ne jemi deputetë, nuk jemi ekzekutiv, këtu ka përgjegjësi vetëm qeveria, dhe nuk kam shumë informata për këtë’’ shprehet ajo.
Deputetja Balje thekson se nuk duhet vrapuar me nxitim për të bërë padi për gjenocid të Serbisë pasi, sipas saj, nëse një padi e tillë refuzohet për shkak të mospërpilimit të mirë, humbet mundësia për të bërë prapë padi.
‘’Për mua personalisht nuk e mendoj se duhet vrapuar me këtë, sepse nëse e dorëzojmë njëherë këtë padi, por nëse e merr si refuzim padinë, nuk ke drejtë më pas të bësh padi tjetër. Duhet ditur si të veprohet’’ deklaron Balje për FrontOnline.
Balje thotë se nuk e di nëse në këtë mandat qeverisës mund të iniciohet padia për gjenocid ndaj Serbisë, por shprehet e bindur se Kosova do ta bëjë këtë.
‘’Këtë mandat nuk e di a është gati qeveria ta bëjë, por jam e sigurt se do të vijë koha kur Kosova do ta bëjë këtë’’ tha Duda Balje.
Derisa nga opozita thonë se kjo po bëhet për qëllime elektorale dhe nuk janë në dijeni se kanë nisur përgatitjet.