Qeveria në proces të përzgjedhjes së Drejtorit të Bordit të KEK-ut
Ndërmarrja Publike me e madhe në vend, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), që nga e diela e javës së kaluar ka mbetur pa Bord funksional, pasi mandati i Bordit, i cili ishte emëruar me mandat të përkohshëm, tashmë ka skaduar.
Nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë për Demokracia.com se Zyra e Kryeministrit ka hapur konkurs.
Demokracia.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar se kjo ndërmarrje nga java e kaluar ka mbetur pa Bord funksional.
“Zyra e Kryeministrit në kuadër të kompetencave të saj, duke u mbështetur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ka hapur konkursin për Bord të NP “KEK”, thuhet në përgjigjen e ME dhënë për Demokracia.com.
Po ashtu në përgjigjen e ME-së thuhet se përzgjedhja e kandidateve për Drejtor të Bordit në KEK është në proces.
“Tashmë ka filluar puna e Komisionit Rekomandues për selektimin e kandidatëve, të cilët me pastaj do të ftohen në intervistë me gojë. Pra përzgjedhja e kandidateve për Drejtor te Bordit në KEK është në proces dhe sapo të përfundoj ky proces, do bëhet publike lista e tyre”.
Ndryshe, me 21 maj të këtij viti, ekzekutivi kosovar në mbledhje kishte votuar për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Korporata Energjetike e Kosovës.