Qeveria: Në veri policia e rendit, jo njësitë speciale
Policia e Kosovës njoftoi për rritjen e prezencës policore në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se atje është vetëm policia e rendit, e jo njësitë speciale.
“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit, jo për ndonjë njësi tjetër”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rritja e prezencës policore ishte “e domosdoshme” pas incidenteve të fundit në këtë pjesë të vendit.
“Lusim të gjithë qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës të cilët janë duke u angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Policia tha se ka rritur prezencën në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pasi ka prioritet “ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”.
Nga pamjet e publikuara, disa policë janë parë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Ky është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarët, serbët dhe boshnjakët.
Por, ministri Sveçla, gjatë një prononcimi për Radio Televizionin e Kosovës, tha se policët e rendit janë vendosur jo vetëm në këtë lagje, por “në disa lokacione” në Mitrovicë të Veriut.
Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës ka pasur incidente me armë zjarri dhe me granata. Të martën, autoritetet bën të ditur se zyrat e komisioneve komunale zgjedhore u dëmtuan nga “mjete të rrezikshme”, nga grupe dhe persona “të maskuar”.
Incidentet më 6 dhjetor ndodhën teksa policia po përcillte zyrtarët zgjedhorë për në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, pasi autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet për kryetarë komune në veri të Kosovës, të caktuara për 18 dhjetor.
Autoritetet në Kosovë i cilësuan këto incidente si “sulme terroriste” dhe thanë se pas tyre qëndrojnë “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Serbia.
Pas incidenteve të 6 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi shtim të prezencës policore në veri për shkak të “krimeve dhe sulmeve” në këtë pjesë të shtetit.
Policia e Kosovës tha se ka kapacitete që të menaxhojë dhe të kontrollojë situatën e sigurisë në mbarë vendin.
Në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, afër 600 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje në nëntor. Ata ishin në mesin e zyrtarëve të tjerë, përfshirë ata politikë dhe të sistemit të drejtësisë, që u dorëhoqën në shenjë kundërshtimi për një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.