Qeveria nuk duhet të zmbrapset për taksën ndaj Serbisë
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë është i drejtë dhe duhet të vlerësohet në kontekstin e obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës.
Ai e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës të mos zmbrapset nga ky vendim.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka theksuar se ky vendim duhet ta detyrojë Serbinë të heqë dorë nga politikat destruktive në raport me Kosovën.
Sipas tij, nga kjo betejë Kosova nuk duhet të dalë pa përfitime.
Murati ka shprehur optimizëm se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do ta afronte zgjidhjen e problemeve në mes të dy vendeve.
Ai ka vlerësuar se vendimi për taksën ndaj produkteve serbe është mesazh për Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare që të fillojnë ta trajtojnë Kosovën dinjitetshëm dhe barabartë me shtetet e tjera.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)