Qeveria nuk e miraton Projektligjin për Pandeminë të iniciuar nga Vjosa Osmani
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti qeveritar nuk ka miratuar nismën legjislative të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka paraqitur qëndrimin e Qeverisë sa i përket këtij Projektligji duke theksuar se Qeveria e konsideron të panevojshëm miratimin e tij.
“Të nderuar para jush paraqes mendimin e qeverisë për nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19. Sipas procedurave përkatëse të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellur opinionet e tyre sipas fushëveprimit të tyre.
Në këtë rast Qeveria e Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës për rregullim të ri ligjor përmes të cilit bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
E vlerëson të panevojshëm miratimin e Projektligjit për parandalimin ose luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë mjaftueshëm fushën e luftimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj ka kërkuar që të miratohet mendimi i Qeverisë sa i përket këtij Projektligji, ku me shumica votash ky mendim u aprovua nga anëtarët e kabinetit qeveritar.