Qeveria nuk ndan buxhet për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë
Për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do të ketë 30 ditë aktivitete të ndryshme festive. Megjithatë, për manifestimin e kësaj date të rëndësishme shtetërore, qeveria nuk ka ndarë mjete shtesë financiare.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se nuk do të ketë buxhet qendror të planifikuar për shënimin e 15-vjetorit të shtetësisë së vendit tonë.
Sipas ekzekutivit, do të ketë një lloj buxheti të decentralizuar ku secili institucion bartës i aktiviteteve i siguron mjetet financiare brenda buxheteve vetanake.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se për shkak të aktiviteteve të shumta, Këshilli Shtetëror Organizativ është pajtuar që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxhetet vetanake.
“Vendimi i Qeverisë për themelimin e Këshillit Shtetëror Organizativ nuk e specifikon buxhetin. Për shkak të vëllimit shumë të madh të aktiviteteve dakordimi brenda Këshillit ka qenë që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxheti vetanak.
Pra nuk do të ketë buxhet qendror të planifikuar por do të jetë një lloj buxheti të decentralizuar ku secili institucion bartës i aktiviteteve e siguron buxhetin brenda buxheteve vetanake në përjashtim të rasteve kur kemi nevoja shumë më të mëdha buxhetore atëherë do të ketë ndarje shtesë nga Ministria e Financave. Megjithatë, në parim po flasim për një buxhet të konsiderueshëm”, theksoi Kryeziu për KosovaPress.
Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka prezantuar programin shtetëror për manifestimin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Përgjatë tridhjetë ditëve, prej datës 9 shkurt deri më 12 mars do të ketë aktivitete për shënimin e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të Kosovës.
E përgjatë këtyre ditëve nuk do të mungojnë as aktivitetet tashmë tradicionale që nga seanca solemne e kuvendit deri te parakalimet e FSK-së në sheshet e Prishtinës.
Më 17 shkurt këtë herë nga Qeveria e Kosovës do të mbahet edhe një mbledhje solemne. Kosova ka shpallur Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.