Qeveria nuk paguan borxhe për Telekomin, synon privatizimin
Qeveria e Kosovës nuk do të paguaj borxhet e Telekomit të Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, por do të gjejë formë për rimëkëmbje dhe ta përgatis për procesin e privatizimit, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë euro.
Ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se pavarësisht faktit se aksionar i kësaj kompanie është Qeveria e Kosovës, borxhet nuk do t’i shlyej. Ai ka thënë se Telekomi ka potencial për të qenë fitimprurës në treg, por nuk është menaxhuar në mënyrë të duhur.
“Tashmë duhet të shikohen format si qeveri, do të mblidhemi dhe të diskutojmë se si të rimëkëmbim Telekomin, si të kthejmë në kompani profitabile, të ulim kostot operative, sepse këto kosto janë shumë të mëdha. Normalisht t’i shikojmë trendet, sepse një ndërmarrjeje që i ulet shitja dhe i rriten shpenzimet në të njëjtën kohë nuk është normale në asnjë biznes në botë”, ka thënë Lluka
Për krizën financiare të kësaj kompanie, kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, të hënën ka njoftuar kabinetin qeveritar se borxhi i akumuluar ka arritur në 60 milionë euro.
Nëse nuk intervenohet shpejtë, ka thënë ajo, rrezikohet falimentimi për 12 muaj.
Sipas saj, kompania ka një numër të madh të punëtorëve, shpenzime të mëdha të qirasë, mbyllja e një borxhi me Z-mobile mbi 26 milionë euro, rreth 11 milionë euro borxhe ndaj furnitorëve si dhe vazhdimi i humbjeve ku vetëm për tre muaj kompania ka humbur katër milionë euro.
Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, ka thënë se Qeveria e Kosovës në radhë të parë duhet të identifikojë shkaqet e krizës financiare dhe të merren masa ndaj atyre që kanë sjell kompaninë në këtë situatë.
Sipas tij, menaxhimi jo i duhur i kompanisë dhe pikërisht lidhja e kontratës me operatorin Z- Mobile, ka sjell Telekomin para falimentimit.
“Unë mendoj se pika e parë duhet të hetohet pse ka ardhur tek kjo gjendje. Kjo gjendje ka ardhur pikërisht për shkak të kontratës se dëmshme financiare më Z- Mobile. Këtu mund të ketë edhe skenarë të cilat kanë pasur dëshirë që ta falimentojnë Telekomin e Kosovës dhe ta privatizojnë për një çmim simbolik. Nuk do të ishte çudi, se pikërisht ata të cilët e kanë shkatërruar Telekomin e Kosovës të jenë edhe blerësit ose privatizuesit e Telekomit të Kosovës”, ka thënë Gashi
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ndërkaq ka thënë se synim i Qeverisë së Kosovës është privatizimi i Telekomit të Kosovës. Sipas tij, një proces i tillë mund të fillojë pas dy vjetëve.
“Jemi duke pritur vendimin e arbitrazhit sepse ajo është një ndër pengesat kryesore për momentin. Pastaj duhet të bëhet një ristrukturim brenda Telekomit në mënyrë që të krijojmë hapësirë edhe për privatizim. Një ndërmarrje që ka humbje rreth 20 milionë euro në vit, kurse tashmë në 2018 ka edhe më shumë, atëherë nuk është lehtë edhe të privatizohet, sepse investitorët e huaj kanë frikë të futen në atë privatizim”, ka thënë Lluka.
Telekomi i Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.
Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos – Capital” u shpall fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh, por kontrata, sipas kompanisë fituese, nuk u zbatua asnjëherë.
Kompania e pati paditur Qeverinë e Kosovës dhe proceset gjyqësore janë duke u zhvilluar në një gjykatë të arbitrazhit.