Qeveria nuk ua realizon kërkesat, Sindikata e sektorit privat angazhon avokat

25 dhjetor 2020 | 13:12

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit tash e një kohë janë në grevë nëpër të gjitha institucionet shëndetësore në vend, duke kërkuar pagesë shtesë gjatë pandemisë nga qeveria.  Se greva është duke vazhduar e ka konfirmuar edhe kreu i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, i cili ka treguar se punëtorët janë duke e respektuar grevën në përpikëri. “Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit po vazhdojnë me grevë ashtu sipas vendimit që është marrë në kryesinë ekzekutive të sindikatave të pavarura të sektorit privat të Kosovës. Të gjithë punëtorët janë duke e respektuar grevën me përpikëri”, u shpreh Azemi.

Ai ka treguar se kanë pasur presion për ta ndërprerë grevën. “Në ditët e para kemi pasur presion nga drejtorët e qendrave spitalore dhe të qendrave të mjekësisë familjare, por tani me kalimin e kohës gjithçka është në nivel dhe nuk kemi ndonjë presion te punëtorët. Pronarët e kompanive janë duke bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë me sindikatën dhe me punëtorët”, ka thënë Azemi për “Ekonomia Online”.

Ai ka deklaruar se pa marrë parasysh se ata janë dakorduar me kryeministrin Avdullah Hoti e zëvendëskryeministrin Driton Selamanaj se mjetet do t’u dalin këtyre punëtorëve, akoma nuk ka diçka në këtë drejtim. “Që nga takimi i parë me ministrin e Shëndetësisë ne prapë jemi dakorduar që kjo pagesë të fillojë menjëherë pas një marrëveshje gojore. Deri më tani nuk kemi lëvizje”, u shpreh Azemi.

Kreu i sindikatës po ashtu ka njoftuar se tashmë të drejtat e punëtorëve do t’i kërkojnë përmes ligjit, ku edhe kanë angazhuar një avokat. “Planet tona janë në tri rrugë. Jemi të hapur për nënshkrimin e marrëveshjes sepse për bisedime nuk kemi çfarë të bisedojmë më, pra në raport me qeverinë apo Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkaq për kohën e festave mund të ndryshojmë diçka për rrjedhën e grevës dhe tani jemi në marrëveshje për angazhimin e një avokati që në mënyrë ligjore të kërkojmë të drejtën tonë”, ka përfunduar Azemi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka rezultuar…