Qeveria obligon lokalet e gastronomisë të mos ua ndalojnë klientëve ujin e pijshëm
Qeveria e Kosovës ka obliguar lokalet e gastronomisë që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka prezantuar para kabinetit qeveritar standardet normative për cilësinë e ujit për konsum për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Me vendim të qeverisë, bizneset e gastronomisë janë obliguar të zbatojnë rregullat në shërbimin e ujit për klientët.
“Me qëllim që të vendosim standardet normaltive për cilësinë ujit të destinuar për konsum njerëzor, propozoj aprovimin e vendimit që: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti”, ka thënë Latifi.
Ministri Latifi ka treguar edhe rregullat në rast se objekti i gastronomisë nuk furnizohet nga ujësjellësi.
“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKShPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, është shprehur Latifi.