Qeveria për propozimin e Escobarit: E kemi obligim sundimin e ligjit, s’është sot 30 tetori
Qeveria e Kosovës, ka reaguar pas propozimit të të dërguarit special të ShBA-së, Gabriel Escobar, që vendimi për targat të shtyhet edhe për 10 muaj.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për “Klankosova.tv” se qeveria e ka për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë e vendimet qeveritare.
“Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, është shprehur Kryeziu.
Më tutje, ai ka thënë se qeveria i kupton shqetësimet dhe brengat e Escobarit pasi sipas Kryeziut, siguria dhe paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës së fundit të Escobar në Kosovë, ai tha se i ka propozuar kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani shtyrjen e afatit për targa edhe për 10 muaj, por nuk kanë marrë ndonjë zotim.
Kujtojmë se afati për zbatimin e vendimeve për targa dhe dokumentet serbe është shtyrë më 31 korrik me propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.