Qeveria planifikon heqjen e pagesës për studime në universitete publike

10 korrik 2021 | 11:30

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë ka filluar diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së pagesës për studentë në universitete publike. Arsimi publik falas është njëra ndër pikat e programit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Blerja e mjeteve për përgatitjen e një punimi gjatë studimeve për edukim parafillor, studentes së Universitetit të Gjilanit, Shpresa Sabedini, i ka kushtuar gati sa pagesa për të gjithë semestrin.

Ajo është njëra nga studentët e nivelit bachelor në universitetet publike në Kosovë, të cilët paguajnë 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që është falas.

Tarifat e tjera në të gjitha universitetet publike në Kosovë përfshijnë pagesën prej 150 eurosh për semestër në nivelin master dhe 500 euro për semestër në nivelin e doktoraturës, raporton Rel.

Sipas Sabedinit, edhe pse pagesa në nivelin bachelor nuk është shumë e madhe, heqja e saj mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës për studentë, që kanë shpenzime të tjera gjatë studimeve.

“Nëse e krahason me fakultetet private, nuk besoj që është shumë e madhe, por pasi që shumë studentë nuk janë në punë, pse mos ta largojnë krejtësisht pagesën? Do të ishte në favor të shumë studentëve”, thotë Sabedini.

Edhe për Dardan Kajdomqajn, student i juridikut në Universitetin e Prishtinës, heqja e pagesës është ide e mirë, pasi, sipas tij, do të krijonte edhe barazi për studentët me kushte më të rënda ekonomike.

Përveç semestrit, Kajdomqaj tregon se shpenzimet e studentëve përfshijnë pagesën e qirave, librave dhe gjërave të tjera gjatë studimeve.

“Kur të mblidhen, arrihet një shumë dhe të hiqet kjo (pagesa e semestrit) do të na lehtësonte. Nuk është mrekulli, por është pozitive”, thotë ai.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se plani për heqjen e tarifave pritet të realizohet më së voni vitin e ardhshëm.

Sipas tij, po planifikohet që tarifat të mos hiqen për studentë që e përsërisin vitin dhe për studentët e doktoraturës, pasi, sipas tij, “janë në shumicë të punësuar”.

“Tarifat për pagesa do të hiqen dhe këto ditë do të formohet grupi i punës për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Me siguri që do t’i jepet përparësi heqjes së tarifave për studentët që regjistrojnë vitin për herë të parë, jo edhe për ata që e përsërisin vitin”, tha Pupovci.

Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit dhe, sipas Pupovcit, kjo nuk është ndonjë shumë e papërballueshme për kompensim nga Qeveria.

Prorektorja për Financa në Universitetin e Prishtinës, Mihane Berisha, tha se buxheti total i këtij universiteti për këtë vit është mbi 31 milionë euro.

Sipas saj, nga kjo shumë, 12.49 për qind e mjeteve vijnë nga të hyrat vetanake dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.

Ajo tha se deri më tani, UP-ja nuk ka ndonjë njoftim nga Ministria e Arsimit lidhur me planet për heqjen e tarifës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, më 10 korrik ka filluar periudha e aplikimit për…