
Qeveria: Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari” ruan vlerat historike
Në përputhje me përfundimet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Qeveria të martën ka dhënë mendimin për Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sipas Qeverisë, kjo nismë legjislativi do t’i kontribuonte zhvillimit dhe ruajtjes së vlerave tona historike në vazhdimësi.
Mendimit të Qeverisë i janë bashkangjitur edhe opinionet e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, të cilat rekomandohet që të merren parasysh gjatë diskutimit të tij në Kuvend.
Gjithashtu i është bashkangjitur edhe vlerësimi i ndikimit financiar dhe përputhshmëria e projektligjit me legjislacionin evropian.
Në këtë mbledhje të qeverisë gjithashtu është marrë vendim për rivarrimin e dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt.
Me kërkesë të vet kryeministrit Haradinaj, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ofrojë përkrahje logjistike, koordinuese dhe me kapacitetet e saj gjatë tërë procesit.
/Epoka e re/