Qeveria realizoi vetëm 33% të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar – qershor 2024
Lëvizja Fol ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar – qershor 2024.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh në Lëvizjen Fol, tha se edhe këtë vit Foli ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.
“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar – qershor 2024 ka arritur të realizojë vetëm 49 apo 33% nga to, ndërkaq 59 apo 40% nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27%) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), Fol-i nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore”, ka theksuar ajo.
Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtëmujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen Fol ka prezantuar të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar – qershor të vitit 2024.