Qeveria realizoi vetëm 38 % të Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar -dhjetor 2024
Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga analiza e programit të qeverisë së Kosovës 2021-2025 si dhe të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar – dhjetor 2024.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim dhe për katër vite të Qeverisë së fundit.
“Qeveria e Kosovës nga 544 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 207 apo 38 % nga to, ndërkaq 163 apo 30% kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 174 aktivitete apo (32%) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për vitin 2024”, ka thënë ajo.
Kastrati ka listuar dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën janar – dhjetor 2024 të cilat janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
“Pra ka aktivitete në Planin Kombëtar Zhvillimor realizimi i të cilave është paraparë të bëhet përgjatë disa viteve. Por, FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara që fillojnë në janar dhe përfundojnë në dhjetor 2024”, wshtw shprehur Kastrati.
Burbuqe Kastrati gjithashtu ka prezantuar të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar – dhjetor të vitit 2024.
Zyra e Kryeministrit kishte paraparë 62 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 35 dhe 27 kanë mbetur pa u realizuar.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 29 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2024. Prej tyre kanë realizuar 19 ndërkaq 10 janë të parealizuara.
Ministria e Drejtësisë në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 79 aktivitete brenda periudhës janar-dhjetor 2024. Vetëm 44 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 35 janë të pa përfunduara.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 20 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2024, prej të cilave ka realizuar 9 dhe 11 janë të parealizuara.
Ministria e Ekonomisë në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 30 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2024, 14 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 16 janë të parealizuara.
Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 71 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2024. V
etëm 41 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 30 janë të parealizuara.
Ministria e Mbrojtjes ka paraparë të realizojë vetëm 6 aktivitete gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 4 të parealizuara.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka paraparë të realizojë vetëm 4 aktivitete gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 1 ka realizuar dhe 3 kanë mbetur parealizuar.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 45 aktivitete ka realizuar 30 dhe 15 kanë mbetur pa u realizuar.
Ministria e Shëndetësisë – ka paraparë të realizojë 21 aktivitete gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 10 janë realizuar dhe 11 të parealizuara.
Ministria për Komunitete dhe Kthimka paraparë të realizojë vetëm 3 aktivitete gjatë periudhës janar – dhjetor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, 2 janë realizuar dhe 1 e pa parealizuar.
Ndërkaq, tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL dhe nuk dihet nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 57 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2024.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 66 aktivitete.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka planifikuar të realizojë 51 aktivitete për vitin 2024, nga e cila s’kemi pranuar përgjigje se sa nga to janë realizuar.
Ajo çka vlen të theksohet është se dy nga këto ministri ajo e Financave dhe e Mjedisit nuk janë përgjigjur as në gjashtë mujorin e parë kur FOL ka dërguar kërkesë.
FOL kishte paraqitur ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe pas ndërmarrjes së hapave nga AIP kemi pranuar përgjigje.
Mirëpo të njëjtat kanë hezituar të përgjigjen dhe tani, FOL ka dërguar përsëri ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për mos qasje në këto të dhëna sa i përket realizimit të Planit Kombëtar për Zhvillim për vitin 2024.
Sipas Kastratit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë brenda vitit për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024.
Në vitin 2021 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 56%, ndërsa në vitin 2022 Qeveria e Kosovës kishte realizuar 62%, në vitin 2023 kishte realizuar 36% dhe në vitin 2024 Plani Kombëtar për Zhvillim është realizuar vetëm 38% për periudhën janar – dhjetor.
Duke u bazuar në këto të dhëna po del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie sa i përket realizimit të Planit të punës i quajtur tani Plani Kombëtar për Zhvillim dhe realizimi më i madh i tij po del në vitin 2022 me 62%.
Ndërkaq, Mexhide Demolli – Nimani, drejtoresh e Lëvizjes FOL tha se pavarësisht monitorimit të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor për vitin 2024, ne kemi analizuar edhe Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.
“Duke qenë se është qeveria e parë me mandat të plotë që nga shpallja e pavarësisë ne kemi bërë edhe një analizë të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025, i miratuar më 7 maj 2021. Program ky që paraqiti një vizion ambicioz për zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit. Megjithatë, zbatimi i këtij programi është përballur me sfida serioze që kanë penguar arritjen e objektivave kryesore. Ndër sfidat kryesore janë vonesat në miratimin e politikave, defektet legjislative dhe mungesa e koordinimit ndër-institucional”, tha ajo.
Programi i Qeverisë ka paraparë dy prioritet kryesore të asaj kohe që kanë qenë menaxhimi i pandemisë Covid-19 dhe ringjallja ekonomike.
Kurse, sa i përket aspektit sektorial, Programi i Qeverisë është i ndarë në 18 prioritete, ku përfshihen: Shëndeti publik dhe mbrojtja sociale, Sundimi i ligjit, Rendi dhe siguria publike, Qeverisja, Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore, Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve, etj.
Sipas saj, në mënyrë që të zbatohet Programi, Qeveria është dashur të ndërmarrë veprime për miratimin e ligjeve si hapa paraprakë në zbatim të programit.
“Megjithatë, një nga problemet më të dukshme ka qenë vonesa në miratimin dhe zbatimin e ligjeve. Një numër i madh projektligjesh të miratuara nga Kuvendi i Kosovës janë kontestuar për shkelje procedurale dhe janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.
Demolli-Nimani tha se kjo analize të shërbej për qeverinë e ardhshme që Programi qeverisës duhet të jetë i bazuar në një qasje të mirëorganizuar, realiste dhe larg premtimeve të paarsyeshme apo të vështira për t’u realizuar në praktikë.
Gjithashtu, është thelbësore që qeveria të jetë transparente dhe e përgjegjshme para qytetarëve, duke u bazuar në ligjshmëri dhe kushtetutshmëri.