Qeveria refuzon t’i japë Serbisë provat për Radoiçiqin
Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Serbisë për bashkëpunim dhe dorëzimin e provave lidhur me Milan Radoiçiqin në rastin e sulmit terrorist në Banjskë
Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Serbisë për bashkëpunim në rastin Banjska dhe dhënien e provave për të kërkuarin Milan Radoiçiq.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Ministria e Drejtësisë tha se vlerëson që kërkesa e Serbisë është në kundërshtim me nenin 85, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.
“Po ashtu, sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka sqaruar se fillimisht Serbia ishte ajo që refuzoi të bashkëpunojë në këtë rast, meqenëse të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, sipas autoriteteve të Kosovës, ishin trajnuar në Serbi.
“Pas sulmit terrorist serb në Banjskë, duke u bazuar në atë se terroristet ishin trajnuar në Serbi, kishin planifikuar sulmin nga Serbia ishin armatosur atje, kishin ardhur nga Serbia, pas sulmit ishin arratisur në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist e kishte pranuar publikisht se qëndron prapa këtij sulmi, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, kishte parashtruar kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike në Serbi, përmes të cilës kishte kërkuar grumbullimin e provave”, sqaron MD-ja.
Por, kërkesës së 5 tetorit të 2023-s të Prokurorisë Speciale të Kosovës, dërguar përmes kanaleve të theksuara në piken 3 të marrëveshjes dypalëshe në fuqi, Serbia asnjëherë nuk është përgjigjur.
“Serbia duhet t’i përgjigjet kërkesave për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës. Po ashtu duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar në raport me bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”, përfundon përgjigja e MD-së.
Ambasadori amerikan, Jefferey Hovenier tha një ditë më parë në një intervistë për Radio Evropa e Lirë se Serbia zyrtarisht i ka kërkuar Kosovës që të dorëzojë çfarëdo prova që kanë për rastin e Banjskës në mënyrë që të mund të ndjekin penalisht Milan Radoiçiqin.
Diplomati amerikan tha se shpreson që Kosova do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese në mënyrë që të sigurohet ndjekja penale dhe dhënia e përgjegjësisë së kryerësve të aktit kriminal.