Qeveria rrit shtesat për fëmijët
Qeveria ka rritur shtesat për fëmijët. Këtë e ka bërë me dije kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konference për medie bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Deri më tani, shtesat kanë qenë: 20 euro për fëmijët 0-2 vjeç dhe 10 euro për fëmijët 3-16 vjeç.
Ndërsa me skemën e re, nuk ka më dallim 0-2 apo 3-16, por dallimi bëhet tek numri i fëmijëve që familja ka.
Për familjen që ka vetëm një fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa prej 20 euro/muaj apo 240 euro/vit.
Për familjen që ka dy fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa 40 euro/muaj (2×20) apo 480 euro/vit.
Për familjen që ka tre fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa 90 euro/muaj apo 1,080 vit.
“Për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë nga 20 euro në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre e më shumë fëmijë, shtesat e reja do të jenë nga 30 euro në muaj për secilin prej fëmijëve, pra edhe për të parin edhe të dytin vlen shtesa 30 euro në muaj. Me fjalë të tjera, një nënë me një fëmijë merr 20 euro në muaj, një nënë me dy fëmijë, merr 40 euro në muaj, ndërkaq një nënë me tre fëmijë, merr 90 euro në muaj. Për çdo fëmijë pas të tretit vlen shtesa e njëjtë prej 30 euro në muaj”, tha Kurti.