Qeveria rumune hyn në izolim 14-ditor pasi një senator del pozitiv në testet për coronavirus
Qeveria e përkohshme e Rumanisë po izolohet për 14 ditë pasi një senator u provua pozitiv për koronavirusin COVID-19.
Siç shkruan Euronews, Vergil Chitac ishte në parlament ditët e fundit ndërsa partitë e krahut të djathtë po përpiqeshin të krijonin një kabinet të ri.
Kryeministri i përkohshëm, Ludovic Orban, tha në një konferencë shtypi se të gjithë anëtarët e qeverisë, si dhe disa anëtarë të Partisë së tij Liberale Kombëtare (PNL) do të vetë-karantinohen.
“Ne i kërkuam ministrit të shëndetësisë që shpejt të krijojë një mekanizëm të hetimit epidemiologjik për të gjithë kolegët tanë. Të gjithë do të testohen. Sa për mua, unë do të qëndroj i izoluar në Villa Lac 1, ku do të vazhdoj të kryejë detyrat e mia”, tha Orban.
Qeveria e përkohshme liberale është krijuar që nga fillimi i shkurtit pas një mocioni mosbesimi.
Rumania ka 70 raste të konfirmuara COVID-19 deri më tani, por nuk ka vdekje. Gjashtë persona kanë bërë një rikuperim të plotë, ndërsa 2.067 janë në karantinë në spitale ose ambiente speciale dhe 13.745 janë të izoluar në shtëpitë e tyre.