Qeveria shkarkon bordin e drejtorëve të KRU “Hidroregjioni Jugor”, emëron të përkohshmin
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe draft-raportin për vitin 2023, kjo ndërmarrje ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga bordi i drejtorëve në planin e biznesit.
“Përveç devijimeve është evidentuar edhe mosinformimi dhe komunikimi jo i rregullt me Njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi konsiderohet se bordi i drejtorëve nuk ka arritur që të sigurojë planifikim efektiv dhe mbikëqyrje rigoroze të zbatimit të planit. Për këto arsye, rekomandojmë shkarkimin e bordit të drejtorëve të emëruar më 10 gusht 2022”, u shpreh Rizvanolli.
Kabineti qeveritar më pas miratoi kërkesën e Rivanollit për shkarkimin e bordit aktual të drejtorëve dhe emërimin e një bordi të përkohshëm me përbërje: Ismet Vrapqani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare.