Qeveria shpalli zona të mbrojtura malin e Pashtrikut dhe liqenin e Vermicës
Kabineti qeveritar në mbledhjen e së enjtes ka miratuar nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2018 për programin e bashkëpunimit ndërkufitar për IPA II ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Mbështetjen e Qeverisë e ka marrë edhe nisma për negocimin e marrëveshjes për amendamentimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit “Mënjanimi i ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore – faza V”.
Po ashtu, Qeveria ka aprovuar edhe nismën për lidhjen e memorandumit të partneritetit për “Iniciativat Kombëtare të Frankofonisë” ndërmjet Kosovës dhe Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Po në këtë mbledhje të Qeverisë është miratuar edhe Projektligji për pyjet, nisma për funksionalizimin e dhe dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Panaireve në Bërnicë, vendimi për shpalljen e zonës së mbrojtur në kategorinë e parkut natyror mali Pashtrik dhe liqeni i Vermicës.