Qeveria shqyrton platformën vjetore të politikës së inteligjencës dhe të sigurisë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar draftin e platformës vjetore të politikës së inteligjencës dhe të sigurisë. Në platformën vjetore të politikës së inteligjencës dhe sigurisë, parashtrohen prioritetet strategjike të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e cila po ashtu përmban udhëzimet e përgjithshme për punën e kësaj Agjencie.
Në pajtim me Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, drejtori i AKI-së propozon një version të platformës vjetore të politikës së inteligjencës dhe sigurisë për Këshillin e Sigurisë të Kosovës për shqyrtim nga ana e tyre. Pas konsultimit të kryeministrit me presidentin e Republikës së Kosovës, platforma i procedohet për miratim Qeverisë, ndërsa pas miratimit nga ana e Qeverisë, platforma i dërgohet Organit Mbikëqyrës Parlamentar për informim dhe drejtorit të AKI-së për veprim.
Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar është miratuar nisma e Ministrisë së Financave për negocim të Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit ‘Trajtimi i ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit”.
Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria ka ndarë mjete financiare, sipas kërkesës së Komunës së Mitrovicës, në vlerë prej 74.200 euro në mbështetje të realizimit të projektit për ngritjen e monumentit kushtuar dëshmorit, Harun Beka.
/Epoka e re/