Qeveria s’ka njerëz profesionalë për menaxhim të energjisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, po paralajmëron dimër të vështirë për shkak të rritjes së energjisë elektrike. Lushtaku tha se kanë hasur në shumë parregullsi sa i përket pjesës së menaxhimit të KEK-ut, por edhe blerjes dhe shitjes së rrymës.
“Ne kemi paralajmëruar edhe në seanca të ndryshme në Kuvend se do të kemi dimër të vështirë sepse energjia ende mbetet top temë në çdo vend. Sigurisht që është edhe tani sepse po shihet qartë që kemi ende parregullsi edhe në pjesën e menaxhimit të KEK-ut, por edhe në pjesën e blerjes dhe shitjes së rrymës. Kemi krijuar edhe komisione në këtë drejtim”, ka thënë Lushtaku.
Sipas tij, qeveria duhet të reflektojë dhe ta marrë më seriozisht këtë çështje.
“Prandaj është mirë që qeveria të marrë seriozisht këtë çështje dhe të mos vihet në gjumë. Po shihet se qysh e ka zënë herën e parë në gjumë do ta zë edhe tash sepse nuk ka njerëz profesionalë dhe të duhur për menaxhimin e kësaj sfide. Fatkeqësisht, nuk e merr asnjë këshill as nga analistët as nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur këtë problem. Me kokën e vet është duke u munduar t’i zgjidhë këto probleme. Por e kemi parë që as herën e parë nuk ia ka dalë dhe nuk do t’ia dalë as herën e dytë. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për këtë çështje dhe ta japim kontributin tonë që qytetarët të kenë një dimër sa më të lehtë”, tha Lushtaku për EO.