Qeveria sot raporton për 100 ditët e punës
Katër muaj kohë iu deshën dy partive politike, Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), për ta formuar qeverinë e vetëm pesëdhjetë e një ditë për ta prishur koalicionin qeverisës, i cili si nga këto dy parti, si nga votuesit, u quajt dhe u konsiderua “koalicioni i shpresës”.
Më i fortë se bashkëpunimi mes këtyre dy partive ishin përplasjet dhe mospajtimet ato që dërguan në rrëzim të qeverisë, madje në kohën kur Kosova nisi t’i regjistrojë të infektuarit e parë me Covid-19. Pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili kishte tumirur propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme një natë në një intervistë të dhënë për një televizion të Kosovës, të nesërmen kryeministri Albin Kurti kishte marrë vendim për shkarkimin e tij që, sipas tij, ka bërë panik dhe nuk ka shkuar në linjë me qeverinë, por me presidentin. Dhe pavarësisht prej kërkesës së LDK-së, për ta shfuqizuar vendimin për lejim nga detyra të ministrit Veliu, Kurti nuk e bëri një gjë të tillë dhe LDK-ja filloi procedurën e mocionit të mosbesimit, i cili u mbështet nga opozita në një seancë të stërzgjatur, e mbajtur edhe me masa mbrojtëse nga parandalimi i përhapjes së Covid-19 dhe qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti deputetët me 82 vota për ia morën besimin.
Për 49 ditë të tjerë qeveria në detyrë e ka vazhduar punën. Sot, e mërkurë, më 13 maj 2020, ka mbushur 100 ditët punë, për të cilat, sot, me fillim në orën 14.00, do të mbajë një konferencë për media dhe kryeministri në detyrë do të flasë për punët që ka bërë deri më tash.
(B. D.: ‘Epoka e re’)