Qeveria synon ndërtimin e dy digave të reja
Këshilli Ndërministror i Ujërave ka mbajtur takimin e parë në përbërjen e tij të re, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti. Në kuadër të diskutimit mbi gjendjen e sektorit të ujërave në Kosovë dhe orientimit strategjik të Qeverisë së Kosovës në këtë fushë, kryeministri Kurti ka thënë se janë të përkushtuar në zhvillimin e sektorit të ujërave dhe se beson që kjo qeveri është me aktivja deri më tani në përparimin e këtij sektori.
Duke renditur disa prej veprimeve që qeveria ka ndërmarrë deri më tani, Kurti ka thënë se kanë krijuar grupin punues për kthimin e ligjshmërisë në dhënien e së drejtës ujore me qëllime komerciale.
Gjithashtu sipas tij, kanë ndaluar dhënien e pasurisë ujore pa koncesion. “Kemi miratuar programin për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, kemi miratuar financimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura për Gjilan dhe Mitrovicë. Kurse sa i përket qeverisjes korporative në ndërmarrjet rajonale të ujërave dhe ujitjes, kemi emëruar Bordet e përkohshme të Drejtorëve me përbërje të barabartë grash dhe burrash dhe jemi në proces të përzgjedhjes së Bordeve të Drejtorëve për shumë ndërmarrje tjera”, ka thënë Kurti.
Ai ka veçuar rritjen prej 220 për qind në të hyrat nga pagesat ujore si dëshmi e angazhimit të qeverisë dhe ndërmarrjeve publike në grumbullimin e të hyrave, por edhe e besimit të lartë të qytetarëve ndaj qeverisë dhe institucioneve vartëse.
Të vetëdijshëm për rezervat e ulëta ujore në vend të cilat nuk kalojnë shifrën prej 500 milionë metra kube ujë, kryeministri Kurti ka ritheksuar synimin e qeverisë për të rritur këto kapacitete duke ndërtuar dy diga të reja brenda këtij mandati, gjatë të cilit synohet edhe përfundimi i ndërtimit të impianteve në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.