Qeveria ta hartojë një pako të re për rimëkëmbjen ekonomike
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se qeveria Kurti me urgjencë duhet ta hartojë një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosovës do t’i duhet dyfishi i kohës së vendeve të rajonit sa i përket rimëkëmbjes ekonomike pas Covid-19.
“Nëse vendeve të rajonit i nevojiten dy ose tri vjet për t’u rimëkëmbur nga pandemia, atëherë Kosovës i duhet dyfishi i kësaj periudhe. Në këtë drejtim nuk duhet që Kosova të shndërrohet në hapësirë eksperimentale”, ka deklaruar Gërxhaliu, cili ka bërë thirrje për hartimin e një pakoje të re të rimëkëmbjes ekonomike. “Apeli im do të ishte për qeverinë Kurti që, në rend të parë, ta hartojë një strategji apo një pako të re të rimëkëmbjes dhe tek atëherë të mendohet për masat. Besoj që në këtë drejtim janë duke punuar ekspertë të fushave ekonomike. Tani është koha për një pako gjithëpërfshirëse ku askush s’ka mundësi të përfitojë në baza selektive. Në këtë drejtim sa më tepër të investohet sot do të jetë më lehtë procedura për sanim”, është shprehur ai.
Sa i përket raportit të Bankës Botërore, se rritja ekonomike në vitin 2021 do të jetë prej 4-përqindësh, Gërxhaliu ka shprehur skepticizëm rreth kësaj shifre.
“Nuk pajtohem me raportin e Bankës Botërore që Kosova në vitin 2021 do të ketë rritje 4 për qind. Kosovës do t’i duhen dy vjet për sanim si pasojë e kësaj pandemie. Realiteti në Kosovë është më ndryshe dhe nevojitet një analizë më ndryshe. Tani për Kosovën është urgjente një pako e re e rimëkëmbjes e cila do të ketë rëndësi të pakontestuar në aspektin ekonomik, social dhe zhvillimor. Mbi të gjitha, edhe në aspektin psikologjik dhe emocional, në mënyrë që qytetarët ta ndiejnë dorën e zgjatur të shtetit”, ka thënë Gërxhaliu. Sipas tij, çështja e pandemisë në Kosovë duhet të menaxhohet në katër etapa. “Bota nuk do të jetë siç ka qenë para pandemisë. Duhet të bëhet një riorganizim. Problemi më i madh është se pandemia është politizuar. Më gëzon fakti se, më në fund, Kosova ka institucione stabile dhe se në kabinetin qeveritar ka ekspertë të fushave. Menaxhimi i pandemisë duhet të ndahet në katër etapa. E para skenimi, pastaj planifikimi, vendimi dhe mbështetja”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka folur edhe për përparimin ekonomik të vendeve të rajonit në kohën e pandemisë. “Vendet e rajonit kanë bërë shumë më tepër për mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve në kohën pandemisë, e te ne duhet analizë e thuktë para çdo vendimi”, ka deklaruar ai.
Gërxhaliu ka theksuar se duhet të bëhet një inspektim i mirëfilltë për personat e infektuar me Covid-19 të cilët po enden lirshëm rrugëve, derisa e ka hedhur poshtë mundësinë e një mbyllje totale të vendit. “Mbetet brengosëse se kush kujdeset për të infektuarit të cilët edhe pse kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, bredhin rrugëve të Kosovës. E rrugës do të ishte që të kemi mekanizëm verifikues sesa të mbyllet ekonomia. Prandaj, distanca, disiplina, maskat duhet të shfrytëzohen dhe monitorohen. Besoj se monitorimi i pandemisë është shumë më i rëndësishëm sesa i masave mbyllëse. Duhet të ketë shumë më shumë inspektorë dhe disiplinë për respektimin e masave kundër Covidit”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se Kosova duhet ta digjitalizojë sistemin e shëndetësisë në rastin e Covid-19 që vendi të mos hyjë në katrahurë menaxhuese shëndetësore.
“Në këtë drejtim Kosova vuan nga mungesa e databazave për pacientët e infektuar. Ky është problem edhe për vaksinimin, sepse mungon historiografia e pacientëve, qoftë atyre të infektuar apo atyre me sëmundje të tjera. Prandaj është koha kur duhet të kemi një qasje më ndryshe përballë sfidave të pandemisë dhe në këtë drejtim duhet të analizohet çfarë është e kundërta e mbylljes. Por, mbi të gjitha, duhet të analizohet shumë më shumë aksi i monitorimit të këtyre rasteve”, ka thënë Gërxhaliu.
(Albulena S. MAVRAJ)