“Qeveria ta shkarkojë Rashiqin nëse s’pajtohet me qëndrimet e Kurtit për asociacionin”
Analisti politik Arton Demahasaj ka thënë se beteja e kryeministrit Kurti nuk është betejë për apo kundër Asociacionit, por të mundohet ta shtyjë themelimin e tij dhe ta fusë brenda marrëveshjes finale.
Demhasaj, po ashtu, ka thënë se ka indikacione që asociacioni do të bëhet para planit franko-gjerman.
“Për të shkuar te plani franko-gjerman, parakushti kryesor është zgjidhja e çështjes që lidhet me Asociacionin. Këtë e tha edhe ambasadori Hill, njëherë asociacioni, pastaj plani franko-gjerman”, tha Demhasaj në Tëvë 1.
Demhasaj ka shtuar se nuk ka asgjë të keqe nëse Asociacioni respekton Kushtetutën e vendit.
“Ne nuk po e dimë se cili do të jetë statuti juridik i këtij Asociacioni. Nëse bëhet në bazë të Kushtetutës, nuk kemi pse të frikësohemi. Por, në anën tjetër, nëse në prapaskenë kërkohet diçka më shumë, atëherë i jap të drejtë të plotë kryeministrit Kurti që po reziston për këtë çështje”, ka shtuar Demhasaj.
Duke folur për qëndrimin e ministrit Nenad Rashiq për Asociacionin, ai ka thënë se Rashiqi duhet të shkarkohet nëse qëndrimi i tij bie ndesh me atë të qeverisë.
“Rashiq po flet për Asociacion të Komunave. Kryeministri po thotë asociacion njëetnik. Së pari i kemi dy figura brenda një qeveri që konceptet i kanë ndryshe-ndryshe për asociacionin. Tash unë nuk e di cili bëhet me qëllim të caktuar cili jo. Nëse Qeveria thotë se nuk ka në asnjë mënyrë krijim të Asociacionit, atëherë kur një ministër del dhe deklaron që është pro themelimit të asociacionit, që mendoj se deklarata e tij ishte korrekt. Nëse qeveria nuk është dakord me këtë që e thotë ai, duhet menjëherë ta shkarkojë, sikur që e ka shkarkuar ministrin Agim Veliu vetëm për një fjalë për çështjen e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë Demhasaj.
“Atëherë kemi një ministër që flet për Asociacionin, kur i dimë qëndrimet e atëhershme dhe të tashmë të Qeverisë për këtë”, ka shtuar ai.
Duke folur për takimin e 31 janarit, Demhasaj ka thënë se ai takim është vetëm i karakterit konsultativ.
“Asociacionin nuk mund të krijohet nga Ambasada amerikane, atë e themelon vetëm Qeveria e Kosovës. Kështu e parasheh edhe marrëveshja e vitit 2015. Qeveria e formon një trup, ai e harton statutin dhe e voton Qeveria. Kështu që mos të krijohen opinione që mundet me u themeluar asociacioni diku tjetër, atë duhet me themeluar vetëm Qeveria”, ka thënë Demhasaj.