Qeveria të enjten përballet me një tjetër protestë
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të enjten e 16 qershorit do të protestojnë para objektit të Kuvendit të Kosovës për t’iu kërkuar deputetëve të pushtetit që ta mundësojnë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve të Trustit, duke e votuar projektligjin.
Lajmin e ka konfirmuar Nexhat Lluminca, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.
“Të gjithë punëtorët që punojnë me ndërrimin e parë, që nuk janë të lidhur drejt për drejtë me prodhimin, ata do të jenë pjesë e protestës që mund të jenë diku rreth 1 000 veta. Ka edhe shoqëri civile, ka edhe sindikata të ndryshme që ka shprehur gatishmërinë e përkrahjes apo mbështetjes simbolike. Sindikata e Policisë, Sindikata e Shëruesve Civilë e kanë shprehur gatishmërinë, dhe ne jemi organizator që do të bëjmë protestën për arsye se kemi presion prej punëtorëve”, ka thënë ai për “EO”.
Sipas tij, tërheqja e Trustit është nevojë për shkak të krizës ekonomike, duke i ftuar edhe sindikatat e tjera.
“Ne i thërrasim të gjitha sindikatat dhe të gjithë punëtorët që kanë interes për tërheqjen e këtyre mjeteve t’i bashkohen kësaj proteste. Pra ne dëshirojmë një pjesë të Trustit për arsye se gjendja e punëtorëve është jo e mirë duke e marr parasysh që gjendjen e tyre sot dhe kërkesën e madhe të punëtorëve, jemi imponuar që të vendosim për protesta”, ka deklaruar ai.
Në Kuvendin e Kosovës do të hidhet në votim Projektligji për tërheqjen e një pjese të Trustit, projektligj i iniciuar ga Partia Demokratike e Kosovës.