Qeveria të tregojë përkujdesje më të madhe për shqiptarët e Luginës
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi ka deklaruar se qeveria e re e Kosovës duhet të tregojë përkujdesje më të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo qeveri duhet të krijoj hapësirë që në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili pritet të rifilloj, të diktohet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës. “Marrja drejtpërdrejtë e përgjegjësive për Luginën e Preshevës dhe një përkujdesje më e madhe. Në dialogun që duhet nisur, të krijojë hapësirë që Lugina e Preshevës të marrë trajtim nga i cili do të arrihet zgjidhja e drejtë dhe afatgjatë. Në aspektin e ndihmës financiare, qeveria duhet ose të ndërtojë fond të veçantë për Luginën ose të parashohë pikë të veçantë buxhetore për financimin e projekteve në Luginë të Preshevës”, ka thënë ai.
Kamberi ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit me Serbinë.
“Reciprociteti si masë ndaj Serbisë duhet të jetë në funksion të shumë çështjeve të rëndësishme për Kosovën. Sipas nesh, reciprociteti me Serbinë duhet të jetë në funksion edhe për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët këtë masë e shohim si mundësi të fundit që Kosova mund ta përdorë për ta “detyruar” Beogradin zyrtar që t’i respektojë të drejtat kolektive të shqiptarëve këtu, në nivel të njëjtë me ato që bën Kosova me pakicat e sidomos me pakicën serbe atje”, ka deklaruar Kamberi.
(M.K /Epoka e re)