Qeveria themelon grupin punues për vlerësimin e aseteve të “Trepçës”
Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”.
Në mbledhjen e Qeverisë, është thënë se ky grup do të përgatisë propozimin final për Qeverinë, jo më larg se tre muaj pas miratimit të këtij vendimi.
Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.
I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës është formuar Komisioni për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë – “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës – “Parku Adem Demaçi”.
Komisioni do të përbëhet nga:
- Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës
- Përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës
- Përfaqësuesi i Ministrisë se Forcës së Sigurisë së Kosovës
- Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve
- Përfaqësuesi i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë
- Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës
Komisioni ka për obligim që të fillojë procedurat për shpalljen e konkursit, përzgjedhjen, rregullimin e hapësirës në lokacionin sheshi “Adem Demaçi”, si dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të punëve deri në vendosjen e shtatores.
Komisioni ka për obligim që të fillojë procedurat e emërtimit të autostradës Prishtinë-Pejë – “Autostrada Adem Demaçi”.
Komisioni ka për obligim që të përgatisë propozimin për emërtimin e Parkut të Qytetit – “Parku Adem Demaçi”, dhe procedimin e të njëjtit në Komunën e Prishtinës.
Miratimin nga Qeveria e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e Këshillit Ndërministror për Ujërat, si trup koordinues dhe vendimmarrës që shqyrton çështjet sistemore të administrimit me ujëra, harmonizimin e nevojave dhe interesave të ndryshme, si dhe propozon masat për zhvillimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve dhe sistemit ujor të Kosovës.
Këshilli Ndërministror do të këtë përbërje:
- Kryeministri i Republikës së Kosovës Kryesues;
- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor anëtar/e;
- Ministri i Zhvillimit Ekonomik anëtar/e;
- Ministri i Financave anëtar/e;
- Ministri i Integrimeve Evropiane anëtar/e.
Kabineti Qeveritar ka miratuar sot edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin ‘Evropa kreative” për mbështetje të sektorëve kulturorë dhe kreativë.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur shqetësimin për mos miratimin e projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve për shfrytëzimin e fondeve të IPA-s. Ky veprim i Kuvendit është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe zhvillimit të saj.
Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private. Projektligji rregullon përcaktimin e të drejtës sa i përket marrëdhënieve në të drejtën private të cilat kanë elemente ndërkombëtare.
Edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për organizimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ka marrë aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Rregullorja përcakton organizimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrje të Ministrisë së Drejtësisë.
Është aprovuar propozimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokale për kërkesën e Komunës së Skenderajt për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimit në pronësi të komunës të pronave të ish-Kooperativës Bujqësore “Runik” me qëllim të realizimit të interesit publik.
Qeveria ka themeluar Grupin punues teknik për vlerësimin e të gjitha aseteve që janë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Trepça” Sh.A., dhe përfshirja e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare “Trepça” Sh.A. Grupi do të ketë përbërje:
- Ministria e Zhvillimit Ekonomik – dy përfaqësues,
- Zyra e Kryeministrit – një përfaqësues,
- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – një përfaqësues,
- Bordi i Trepçës – një përfaqësues,
- Menaxhmenti i Trepçës – një përfaqësues,
- Sindikata e Trepçës – dy përfaqësues,
- Ekspert i pavarur – një përfaqësues.
Grupi do të përgatisë propozimin final për Qeverinë, jo më larg se tre muaj pas miratimit të këtij vendimi.
Qeveria ka themeluar gjithashtu edhe Grupin Punues Teknik për trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga Sindikata e Minatorëve të “Trepçës”, në këtë përbërje:
- Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – një përfaqësues,
- Zyra e Kryeministrit – një përfaqësues
- Ministria e Zhvillimit Ekonomik – një përfaqësues,
- Ministria e Financave – një përfaqësues,
- Sindikata e Trepçës – një përfaqësues,
- Ekspert i pavarur – një përfaqësues.
Kabinete qeveritar ka miratuar vendimin për shfuqizimin e vendimit 02/57 të datës 17.07.2018 që obligon Doganën e Kosovës për zbatim të vendimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve, perimeve dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnjë dhe Hercegovina. Gjithashtu është shfuqizuar edhe vendimi 15/58 i datës 24.07.2018, për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit 02/57 të datës 17.07.2018.
Qeveria ka miratuar po ashtu, propozimin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike për negocimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Edhe propozimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marr miratimin e kabinetit qeveritar për nismën e lidhjes së Marrëveshjes për sigurime sociale në mes të Mbretërisë së Holandës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Është aprovuar edhe vendimi për rritjen e numrit të stafit me katër inspektor, në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Obiliqit, me qëllimit të administrimit dhe kontrollimit të investimeve(ndërtimeve) në sektorin e ndërtimit dhe mjedisit në Komunën e Obiliqit, përkatësisht në Zonën e Interesit të Veçantë Ekonomik.
Me propozimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë, është aprovuar kërkesa e Komunës së Deçanit për zhvarrimin dhe rivarrimin e dëshmorëve të fshatit Isniq, proces të cilin do ta kryej Ministria e Forcës së Sigurisë.