Qeveria themelon Komitetin ndërministror për projektin e kompleksit memorial ‘Adem Jashari’
Qeveria e Kosovës ka votuar pro themelimit të Komitetit ndërministror për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Propozimi për themelimin e këtij komiteti është bërë nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.
Pas këtij propozimi, Selmanaj ka treguar edhe përbërjen e këtij komiteti.
“Shqyrtimi i propozim vendimit për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Zyra e Kryeministrit për kompleksin memorial propozon që të themelohet Komiteti ndërministror për përzgjedhjen e projektit në këtë përbërje: kryesues Besnik Tahiri, anëtar ministrja e Kulturës ose zëvendësministri, Ministri i Tregtisë dhe Infrastrukturës, përfaqësuesi nga familja Jashari, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, drejtori i Muzeut, drejtori i Institutit të Historisë, drejtori i Institutit Albanologjik, Bekim Jashari kryetar i Skenderajt, përfaqësues nga shoqata e arkitektëve dhe nga organizata e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë ai.
Ndërsa zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri ka kërkuar që nesër (e enjte) në ora 14:00 të bëhet konstituimi i këtij komiteti.