Qeveria u jep pasaporta diplomatike familjeve të Thaçit, Veselit dhe Haradinajt

25 shkurt 2018 | 17:31

Familjet e presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj janë pajisur me pasaporta diplomatike, sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë më 20 shkurt.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim që përveç familjeve të kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit, edhe fëmijët dhe bashkëshortet e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme të përfitojnë pasaporta diplomatike, raporton “Insajderi”.

“Pasaporta diplomatike i lëshohet edhe bashkëshortit/es dhe fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare të: presidentit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe ministrit të Punëve të Brendshme”, është thënë në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë vendim të Qeverisë lidhur me pasaportat diplomatike, është theksuar se ish-presidentët e Kosovës mund të përdorin pasaportë diplomatike për tërë jetën e tyre, ndërsa fëmijët dhe bashkëshortet e tyre mund të përdorin pasaportat diplomatike vetëm një vit pas përfundimit të mandatit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati, bashkëshorti/ja i/e saj/tij , vazhdon të përdor pasaportën diplomatike të Republikës së Kosovës gjatë tërë jetës. Fëmijët e tij/saj kanë të drejtë të përdorin pasaportën diplomatike deri në moshën 18-vjeçare”, theksohet në vendimin e qeverisë.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur para pesë ditësh, u ndërmor edhe një vendim për pasaportat diplomatike të deputetëve. “Deputetët gëzojnë të drejtën e përdorimit të pasaportës diplomatike, vetëm një (1) vit pas përfundimit të mandatit”, është thënë në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, konkretisht njësitë e antidrogës, në funksion të…