Qeveria ua paguan edhe këtë vit policën kufitare mërgimtarëve
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të paguajë policën kufitare për mërgimtarët që vijnë për pushime në Kosovë.
“E mirëseardhje të veçantë në Kosovë ju dëshirojmë bashkërisht mërgatës sonë. Shumë bashkatdhetarë tanë tashmë kanë ardhur e shumë prej tyre edhe e kanë filluar rrugëtimin e tyre për atdhe. Ne u urojmë mirëseardhje të përzemërt. Dëshirojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e të sigurta. E për të lehtësuar këtë, edhe sivjet, Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët tanë. Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk merr shumë kohë. Polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, për të evituar pritjet në kufi ajo mund të blihet edhe online para se të niseni. E pasi ta kenë blerë bashkatdhetarët tonë policën, ata mund të aplikojnë për rimbursim të pagesës në formularin po ashtu online të Ministrisë së Financave”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Ai ka thënë se mërgata është pjesë integrale e planit të qeverisë për zhvillimin e Kosovës.
“E theksoj përsëri, që ju, mërgata jonë jeni pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke punuar në strategji dhe në ligjin për diasporë. Gjatë gjithë vitit kabineti qeveritar ka zhvilluar ‘Dialogun me mërgatën’ dhe një proces i tillë do të vazhdojë deri në fund të vitit. Janë duke u pilotuar për herë të parë programet për angazhimin e potencialit ekonomik, shkencor e profesional të mërgatës në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Po punohet për herë të parë për të jetësuar koncept-dokumentin për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë dhe certifikimin e gjuhës”, është shprehur Kurti, duke shtuar se kanë krijuar mekanizma për të adresuar problemet e mërgatës.
“Është duke u punuar për ndërlidhjen e politikave për mërgatën me nivelin lokal. Për këtë është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit me Asociacionin e Komunave për Diasporë. Jemi duke pilotuar alternativa kulturore për komunitetin shqiptar dhe jo-shqiptarë jashtë vendit, në mënyrë që të kemi një ndërlidhje me komunitetin edhe përmes artit dhe kulturës. Në kuadër të reformës së brendshme, MPJD ka krijuar mekanizma të rinj për të adresuar kërkesat dhe problemet e mërgatës në raport me shërbimet të cilat i ofrojnë misionet diplomatike. Sakrifica, kontributi dhe mundi juaj janë për t’u qëndruar gjithmonë sa më afër familjarëve në Kosovë, dhe kjo gjë është për t’u admiruar nga të gjithë ne. Unë ju uroj të gjithë juve dhe secilit prej jush pushime të këndshme bashkë me familjarët e miqtë tuaj”, ka deklaruar Kurti.