Qeveria vendos për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar të martën vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga breshëri nëpër komunat e Kosovës, si dhe ka autorizuar Ministrin e Financave që të fillojë procedurat për krijimin e fondit të veçantë për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019.
Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ky është një ndër vendimet me peshë që Qeveria ka marrë.
“Ndër vendimet me peshë që Qeveria ka marrë sot është edhe ai për themelimin e komisionit që do të merret me përgatitjen e propozimit për zgjidhjen e statusit të zjarrfikësve. Qeveria ndër prioritetet e saj e ka ruajtjen e mjedisit dhe në këtë aspekt miratoi ngritjen e një ‘task-force’ nacionale për pastrimin e mbeturinave në Kosovë, ku planifikohet të mobilizohen mbi 50 mijë vullnetarë, dhe kur kësaj i shtohet shqyrtimi i Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, rezulton se vendi ynë po i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme mbrojtjes së mjedisit, që garanton cilësinë e jetesës për qytetarët”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/