Qeveria vendos t’i paguajë specializantët këtë vit, Vitia i shqetësuar për ikjen e mjekëve
Qeveria e Kosovës ka miratuar pagesën e specializantëve me vetëfinancim deri në fund të këtij viti.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se 580 specializantë me vetëfinancim do të paguhen, në mënyrë që të përmirësohet situata në shëndetësi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se “numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i ulët krahasuar me vendet e rajonit”, duke përmendur ikjen e mjekëve.
Ai ka thënë se në Kosovë ka “numër të vogël të mjekëve për kokë banori”.
Kësisoj, Vitia ka thënë se “ngrihen shqetësime sa i përket qasjes në shërbimet shëndetësore të popullatës”.
“Prandaj ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin”, ka thënë Vitia.
Qeveria miratoi edhe pagesën e 10 specializantëve me vetëfinancim nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.