Qeveria zvicerane ndihmon 91 fermerë të Rahovecit që u dëmtuan nga vërshimet
Organizata për Ushqim dhe Bujqësi (Food and Agriculture Organization – FAO), financuar nga Qeveria e Zvicrës këtë vit do t’i ndihmojë fermerët Rahovecit te cilët janë prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti.
Organizata FAO do të shpërndajë kuponë me një shumë simbolike për 91 fermerë të cilët do t’i shfrytëzojnë për kompensim nga dëmet sipas nevojave të tyre për produkte bujqësore.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se kjo komunë nuk ka mundësi t’i mbulojë dëmet bujqësore për shkak se nuk ka fonde të mjaftueshme.
Latifi ka falënderuar organizatën FAO dhe qeverinë zvicerane për këtë mbështetje, të cilën e ka konsideruar ndihmesë të nevojshme për fermerët e Rahovecit.
Po ashtu, ai ka thënë se janë të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).
Ndërsa zëvendësdrejtori për bashkëpunim nga Zyra e Zvicrës, Laurent Torche, ka thënë se përmes kësaj ndihme për bujqit në Komunën e Rahovecit dëshiron të sigurojë mirëqenie dhe kapacitet të produkteve bujqësore.
Torche ka thënë se Zyra e Zvicrës ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Qeverinë e Kosovës. Ai ka theksuar se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën edhe në vitet në vazhdim.