Qeverinë Kurti duhet ta votojë edhe opozita
Analisti politik Behxhet Shala ka deklaruar se qeverinë Kurti duhet ta votojnë të gjitha partitë shqiptare që janë në opozitë në Legjislaturën e VII të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se PDK-ja, AAK-ja dhe koalicioni Nisma-AKR-PD nuk kanë asnjë arsye që të mos e votojnë qeverinë LV-LDK.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, nuk duhet të varet nga votat e minoriteteve. “Për mua është jo në rregull që Albin Kurti të shkojë të marrë një votë prej komunitetit boshnjak dhe një votë prej një komuniteti tjetër. Mendoj se të gjitha partitë shqiptare që do të jenë në opozitë gjatë legjislaturës së VII, pra edhe PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, duhet ta votojnë qeverinë Kurti pa asnjë kusht. Duhet të japin një kontribut për shpejtimin e ndërtimit të institucioneve, pa i vënë asnjë kusht”, ka thënë Shala.
Ai ka vlerësuar se një gjë e tillë do t’ia shtonte përgjegjësinë qeverisë së re. “Menjëherë pas votimit të qeverisë Kurti ata duhet t’i japin besë 100 ditë siç i jepet çdo qeverie dhe mandej duhet të jenë rregullatorë të punës së qeverisë. Nëse qeveria punon mirë, atëherë duhet t’i dalin krah qeverisë, por nëse nuk punon mirë ata duhet ta luajnë rolin e opozitarit. Pra, nuk shoh asnjë arsye të ndahen PDK-ja, AAK-ja apo dikush tjetër prej shqiptarëve dhe të mos e votojnë qeverinë Kurti. Besoj se kjo qeveri duhet ta ketë përkrahjen e 110 votave, përjashtuar votat e Listës Serbe, sepse nëse kjo qeveri i merr të gjitha këto vota, atëherë qeveria Kurti edhe përgjegjësinë do ta ketë më të madhe”, ka thënë ai.
Sipas Shalës, në marrëveshjen LV-LDK do të përfshihet edhe çështja e presidentit të ardhshëm. “Edhe nëse nuk dalin me një deklaratë të përbashkët se janë marrë vesh për presidentin e ardhshëm, jam i bindur se ata janë marrë vesh mes vete për këtë çështje, sepse LDK-ja e ka kusht këtë çështje. Madje kjo parti më kusht e ka postin e presidentit sesa postin e kryetarit të Kuvendit. Për LDK-në, përkatësisht për Isa Mustafën, posti i presidentit është një betejë jetësore”, ka deklaruar Shala.
“Epoka e re”: Z. Shala, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar për të hënën nënshkrimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës. Këto parti deri më tani nuk kanë dhënë hollësi rreth ndarjes së posteve ministrore. Mund të paraqesë kjo ndonjë pengesë?
Shala: Mendoj se ata tashmë janë marrë vesh për koalicionin qeverisës. Besoj se LV-ja do të marrë postin e kryeministrit dhe ministritë e tjera që i takojnë, kurse kryetarin e Kuvendit do ta marrë LDK-ja dhe ministritë e caktuara. Po ashtu, me marrëveshje posti i presidentit të ardhshëm do t’i takojë LDK-së. Ndërsa dy ministri do t’i marrin minoritetet. Kështu që, besoj se nuk kanë asnjë arsyeje që këto dy parti të mos të merren vesh. Nëse deri më tani këto parti kanë pasur një arsyetim, se shkaku i moscertifikimit të rezultatit zgjedhor nuk po mund të merren vesh, tash çdo zvarritje për formimin e institucioneve nuk u arsyetohet LV-së dhe LDK-së. Meqenëse këto dy parti qysh moti janë deklaruar se duan të shkojnë në koalicion, madje edhe para zgjedhjeve, atëherë arritja e kësaj marrëveshje është çështje teknike. Pra, nuk kanë pse të shtyhen më. Ajo që i ka ndarë pak deri më tani ka qenë çështja e postit të presidentit.
“Epoka e re”: Besoni se në këtë marrëveshje do të përfshihet edhe çështja e presidentit?
Shala: Edhe nëse nuk dalin me një deklaratë të përbashkët se janë marrë vesh për presidentin e ardhshëm, jam i bindur se ata janë marrë vesh mes vete për këtë çështje, sepse LDK-ja e ka kusht këtë çështje. Madje kjo parti më kusht e ka postin e presidentit sesa postin e kryetarit të Kuvendit. Për LDK-në, përkatësisht për Isa Mustafën, posti i presidentit është një betejë jetësore. E keni parë se në momentin që Isa Mustafa ka thënë se dëshiron të bëhet president i vendit, menjëherë kanë dalë Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe të tjerët që kanë deklaruar se ai post është i ndërtuar për Isa Mustafën dhe që lideri i LDK-së i plotëson të gjitha kushtet për atë post.
“Epoka e re”: Mirëpo Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të negociohet ky post?
Shala: Me dëshirë LV-ja nuk do t’ia jepte postin e presidentit LDK-së mirëpo, meqenëse pa LDK-në nuk do të mund ta formojë qeverinë, kurse me këta të tjerët nuk dëshiron ta formojë, atëherë duhet të pajtohet. Pra, edhe nëse nuk dalin publikisht të thonë se janë pajtuar për postin e presidentit, besoj se janë marrë vesh edhe për këtë çështje.
“Epoka e re”: Cili mendoni se duhet të jetë qëndrimi i opozitës ditën e votimit të qeverisë?
Shala: Për mua është jo në rregull që Albin Kurti të shkojë të marrë një votë prej komunitetit boshnjak, një votë prej një komuniteti tjetër. Mendoj se të gjitha partitë shqiptare që do të jenë në opozitë gjatë legjislaturës së VII, edhe PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, duhet ta votojnë qeverinë Kurti pa asnjë kusht. Pra, duhet ta japin një kontribut për shpejtimin e ndërtimit të institucioneve, pa i vënë asnjë kusht. Por, menjëherë pas votimit të qeverisë Kurti ata duhet t’i japin besë 100 ditë siç i jepet çdo qeverie, mandej duhet të jenë rregullatorë të punës së qeverisë. Nëse qeveria punon mirë, atëherë duhet t’i dalin krah, por nëse nuk punon mirë, duhet ta luajnë rolin e opozitarit. Nuk shoh asnjë arsye pse të ndahen PDK-ja, AAK-ja apo dikush tjetër prej shqiptarëve dhe të mos e votojnë qeverinë Kurti. Besoj se kjo qeveri duhet ta ketë përkrahjen e 110 votave, përjashtuar votat e Listës Serbe. Nëse kjo qeveri i merr të gjitha këto vota, atëherë qeveria Kurti edhe përgjegjësinë do ta ketë më të madhe. Në këtë mënyrë krijohet hapësira që për interesat e mëdha të vendit të bashkëpunojnë pozita me opozitën. LV-ja vetëm me LDK-në nuk do të mund t’i çojë proceset përpara. Nëse nuk ka një bashkëpunim me opozitën, atëherë kjo qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë.
“Epoka e re”: Çfarë duhet të jetë raporti pozitë – opozitë në legjislaturën e VII?
Shala: Opozita deri më tani ka luajtur një rol shumë të mirë pasi ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe është deklaruar se do të jetë parti opozitare. Në këtë mënyrë besoj se do të duhej të mbështetet qeveria nëse ajo punon mirë. Tekefundit, nuk është me rëndësi se kush do ta udhëheqë Kosovën. Me rëndësi është të përmirësohen kushtet për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të krijohet një stabilitet ekonomik, social dhe politik. Nëse këto arrihen, besoj se neutralizohet skajshmërisht roli i Listës Serbe në Kosovë dhe Serbia do të humbë shumë. Më nuk do të mund ta përdorë Listën Serbe si mjet presioni ndaj Qeverisë së Kosovës. Pra, pozita duhet të jetë shumë bashkëpunuese me opozitën, ndërsa kjo e fundit duhet jetë konstruktive dhe jo opozitë për ta përshpejtuar rënien e qeverisë.
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këtë qeveri?
Shala: Po mos të ishte dialogu me Serbinë, po mos të ishte kërkesa këmbëngulëse e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe kreativitet në këtë proces, do të kishte mundësi të bënte më shumë. Nën maskën e kreativitetit dhe fleksibilitetit nënkuptohen lëshime. Pra, nëse kjo qeveri punon sipas parimeve të proklamuara të dy partive gjatë fushatës, atëherë bisedimet me Serbinë ose do ta varrosin politikisht këtë qeveri ose do ta ngritin në piedestalin më të lartë. Nëse nuk jeni bashkëpunues në dialog, bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’ju japë kredi, sepse bashkësia ndërkombëtare kur të jep diçka të kushtëzon me diçka. Ata çdo përkrahje ekonomike po e kushtëzojnë me ndonjë lëshim politik. Kjo qeveri do ta ketë problem që brenda një periudhe afatshkurtër të bëjë ndryshime, sepse ka trashëguar shumë probleme.
“Epoka e re”: Këto dy parti kanë deklaruar se do ta heqin taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe do ta zëvendësojnë atë me reciprocitet. Si mendoni se do të jetë reagimi ndërkombëtar ndaj reciprocitetit?
Shala: Unë e them me përgjegjësi se, nëse bashkësia ndërkombëtare e ka kundërshtuar taksën një herë, reciprocitetin do ta kundërshtojë 100 herë. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që Kosova ta vendosë reciprocitetin me Serbinë. Pra, Kosova mund ta vendosë masën e reciprocitetit, mirëpo ky veprim nuk do të ketë përkrahje politike nga ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët e kanë gjetur pikën tonë të dobët, që jemi të pafuqishëm dhe kemi shumë probleme sociale dhe ekonomike, prandaj ata neve po na vendosin kushte të cilat nuk po ia vendosin Serbisë.
Muhamet KOCI