‘Qeverisë i mungon një strategji ekonomike për tërheqjen e investitorëve të huaj’
Njohës të çështjeve të ekonomisë, ka thënë se për shkak të politikave të dështuara ekonomike të qeverisë, Kosovë gjendet në pozitë të palakmueshme sa i përket investimeve të huaja.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se qeverisë i mungon një strategji ekonomike për tërheqjen e investitorëve.
“Ka shumë punë dhe ka shumë hapësirë që duhet me u bërë për me pasur investime të huaja. Padyshim që ka mungesë të strategjive, ka një mungesë të angazhimit, të krijimit te grupeve të cilat do të ishin marrë me freskimin e legjislacionit dhe freskimin e politikave fiskale për ta krijuar një ambient me të mirë dhe më ateaktiv për të bërë biznes në Kosovë. Vendet ë rajonit janë duke punuar më të madhe dhe janë duke bërë punë që të kenë sa më shume investime të huaja. Kurse tek ne ende nuk kemi veprime konkrete ose nuk kemi vendim konkret i cili e përmirëson ose e motivon investitorin e huaj që të vjen dhe të investojë në Kosovë”, ka thënë për Rafuna për “RTV21”.
Ndërsa profesori Medain Hashani, ka thënë se siguria fizike, krahas sigurisë juridike është njëri prej elementeve më të rëndësishme që ndikon në vendimmarrjen e investitorit për të shtrirë aktivitetin në tregje të reja. Ai ka përmendur edhe mungesën e strategjive fiskale, gjë që pakëson gjasat për tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Çdo investitor i cili dëshiron me investuar në një vend nevojitet që të ketë fillimisht të qartë se cilën strategji të zhvillimit ekonomik ka ai vend. Ne si Kosovë ende nuk kemi asnjë strategji të zhvillimit ekonomik. Politika tatimore të cilat aplikohen në Kosovë janë shumë të pafavorshme për investitorët e huaj dhe krijojnë pasiguri në raport me investimet që mendojnë me i bërë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, ka përmendur edhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës si penalizim për mungesë investimesh.
“E gjitha kjo mund të bie në ujë po të kishte strategji ekonomike nga ana e qeverisë, por kjo qeveri ende nuk ka strategji e cila do të investonte diçka me kapitale dhe me serioze”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova renditet në vendin e 57 për klimën e të bërit biznes.