Qeverisja ekonomike dhe makroekonomike në Kosovë nuk ka pasur filozofi të zhvillimit
Njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit, themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest, ka deklaruar se Kosova ka dështuar me modelin e zhvillimit ekonomik, apo të rritjes ekonomike, e cila është bazuar në faktorët ekstern – asistencë financiare nga jashtë, remitanca e të tjera, për ta servisuar konsumin dhe jo në modelin që rritë ofertën vendore.
“Përpos në infrastrukturë, Kosova ka pasur nevojë për më shumë investime, po ashtu edhe të bëjë një lloj ri-industrializimi për ta krijuar ofertën vendore dhe njëkohësisht për të krijuar më shumë vende pune. Përgjatë tërë periudhës thuaja 20-vjeçare, kemi dështuar të tërheqim më shumë investime në sektorin privat. Pra, kemi investuar më pak se sa është dashur për rreth 7 për qind -10 për qind të GDP-së”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se si vend kemi dështuar edhe në vendosjen e një sistemi të konkurrencës fer, ngase shpesh importet kanë ndodhur të kenë një pozitë më të favorshme në tregun vendor se sa prodhuesit vendor.
“Funksionimi i gjyqësorit në fushën komerciale gjithashtu ka qenë shumë problematik. Zgjidhja e konteksteve biznesore zgjatë shumë. Më shumë se 4 e 5 vjet dhe kjo tremb investitorët. Edhe toleranca ndaj korrupsionit, sidomos e forcave politike por edhe e gjyqësorit, deri diku edhe e opinionit, sidomos komunitetit të biznesit, ka ndikuar negativisht në vëllimin e investimeve”, ka pohuar Mustafa në një intervistë për “Buletinin Ekonomik”.
Ndërsa, shkaqet, sipas profesor Mustafës, duhet kërkuar në disa rrafshe.
Së pari tek qeverisja ekonomike, më saktë ajo makroekonomike, që thotë se nuk ka pasur një filozofi të duhur zhvillimi, përpos një vizioni rreth infrastrukturës rrugore, kurse në sektorët e tjerë, ka qenë pothuajse pa koncept, pa plan dhe e përcjell me veprime add-hoc.
“Thuajse të gjitha kabinetet qeveritare, deri kah viti 2015, çështjet e reformës dhe politikave ekonomike ua kishin lënë organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare. Pra jo gjithherë ishin të thelluara në matriksin ekonomik dhe social të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, shkakun duhet kërkuar edhe tek mungesa e llogaridhënies, në rend të parë të kabineteve qeveritare, e pastaj edhe të bordeve dhe ekipeve menaxheriale në sektorët e ndryshëm ekonomik.
Mustafa ka thënë se Kosova ka rrezik ta humb një nga përparësitë kryesore për zhvillim, popullsinë e re.
Ai ka theksuar se qeveria aktuale duhet të lehtësojë zhvillimin e biznesit, duke vazhduar me luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit dhe duke promovuar konkurrencën e barabartë, me një përkrahje të bizneseve vendore me masa indirekte që ta përballojnë konkurrencën e jashtme dhe të vazhdojë me rritjen e eksportit.