Qeverisja Haradinaj, forcë shtytëse e zhvillimit të komunave!
Besnik Tahiri
Në një vit punë të qeverisë dhe gjashtë muaj në detyrën e Koordinatorit Nacional për Reformë Shtetërore, përkundër sfidave dhe vështirësive parë në retrospektivë, qeverisja e Ramush Haradinaj mund të vlerësohet për vendimmarrjen më efektive karshi reformave, e me theks mbështetjes së komunave. Në këtë periudhë janë pothuajse 50 vendime direkte që lidhen me komunat. Këto vendime para se gjithash janë kërkesa të komunave për të adresuar nevojat direkte të qytetarëve.
Kësaj radhe po shkruaj vetëm për raportin qeveri – komuna dhe një serë vendimesh që i kanë hapur rrugë bllokadave ndër vite me të cilat janë ballafaquar komunat, qoftë në rrafshin e legjislacionit, pronës, aspektit funksional apo financiar.
E nisëm me Prishtinën, për ta bërë pas dhjetë vitesh me statusin e saj ligjor të kryeqytetit, për të vazhduar me mbështetje sektoriale, e për të prezantuar projektet e saj përballë partnerëve financiarë në mënyrë që t’i hapet perspektivë e re për funksionalitet dhe zhvillim.
Prishtina ishte pikënisje edhe për kthimin e pronave në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, kështu bëmë me Pallatin e Rinisë, për të mos u ndalur, Prizrenin bashkë me partnerët dhe donatorët e kthyem në qendër të inovacionit dhe ngritjes së kapaciteteve. Po ashtu, i hapëm rrugë zhvillimit urban pas pothuajse një paralize të tërësishme. Qytetarëve të Obiliqit ua dhamë Ligjin që ua njeh sfidat që përballen për t’i dhënë dritë dhe zhvillim Kosovës. Ndërkaq, në qytetin që gjithnjë po rritet dhe po urbanizohet, Fushë Kosovës, jemi në përfundim t’i ofrojmë zgjidhjen me ujë të pijshëm.
Kështu, vendim pas vendimi në vetëm një vit u hoqëm lakun komunave që u ishte vendosur ndër vite nga mungesa e vendimmarrjes dhe që po bllokonte zhvillimin e qëndrueshëm të tyre. Por, këtë çështje nuk e lamë vetëm në vullnet vendimesh por e normuam në Projektligjin për Dhënien në Këmbim dhe Shfrytëzim të Pronës Komunale. Projektligj ky, që pronën publike e kthen në funksion të rritjes së potencialit ekonomik dhe zhvillimor.
Për më tepër, shtymë Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje që u hap komunave një perspektivë të re të sanimit, të kaosit urban dhe trajtimit të këtij sektori për zhvillim dhe jetesë më të mirë të qytetarëve. Në këtë frymë, ishim në takime e vizita në komuna, ishim bashkë me vendimmarrësit dhe qytetarët, me partnerët dhe me një përfshirje të gjerë të të gjithë akterëve për t’u ofruar qytetarëve më shumë siguri për fëmijët në shkolla. Për të trajtuar rrezikun nga qentë endacakë e për t’iu gjendur atyre pranë në rastet e fatkeqësive, për t’ua zgjatur dorën kur mundi i tyre u rrezikua.
Përtej kësaj, projektet infrastrukturore po hapin shtigje dhe rrugë të reja që lidhin lagje, fshatra e qytete mes veti. Në fushën e ambientit, një çështje tejet sfiduese që po i japim zgjidhje për qytete e regjione është trajtimi i ujërave të zeza, problem ky jo vetëm ambiental, por edhe zhvillimor duke penguar bujqit, në shfrytëzimin e ujit për zhvillimin e produkteve të tyre.
Kemi nisur aksionin më të madh të pastrimit, moment ky që përmbyll një etapë të degradimit ambiental, e për të vendosur rregulla strikte për ruajtjen e ambientit. Kjo është vetëm tabloja e veprimeve direkte që janë ndërmarrë me komunat. Këtu nuk duhet harruar se pas një periudhe të gjatë krijuam rregullativën që trajton me dinjitet zyrtarin publik në të gjitha nivelet, duke tejkaluar një herë e përgjithmonë pabarazitë dhe për të ndërtuar një sistem unik qoftë në grada, qoftë në paga.
Për më tepër, pas kaq vitesh po stimulohet mekanizmi i kontrollit dhe mbikëqyrjes në komuna duke dhënë paga më të dinjitetshme për të zgjedhurit në kuvendet komunale. Ky mekanizëm është tejet i rëndësishëm për kontrollin, balancën dhe demokracinë në nivel lokal.
Jemi në fazën finale për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme për ndërmarrjet publike qendrore dhe komunale, instrumente këto që i shërbejnë direkt qytetarit. Në këtë frymë jemi duke prodhuar një zgjidhje të qëndrueshme për inspektoratet në të gjitha nivelet, trupa këto që në shumë raste janë bërë pengesë për bizneset, e jo plotësisht funksionale për të vendosur rregull në fushat ku operojnë.
Tashmë jemi duke prodhuar zgjidhje për financimin e qëndrueshëm të komunave për t’i hapur mundësi të re atyre që buxhetet komunale t’i orientojnë në zhvillim të komunave për të vendosur më shumë autonomi, kritere për financim dhe disiplinë fiskale. Këtu po prodhohet edhe zgjidhja për zjarrfikësit që pas kaq vitesh paqartësish në financim dhe funksione po i kthejmë në mekanizma që i shërbejnë sigurisë dhe qytetarit duke iu kthyer para se gjithash dinjitetin në punë dhe në pagë.
Nuk duhet lënë të pa përmendur edhe sprovën që jemi duke kaluar për t’ia kthyer motivin sektorit të shëndetësisë në të gjitha nivelet. Kjo domosdo kërkon përpjekje edhe më të mëdha, qoftë në financim e po ashtu edhe hapësira, staf dhe pajisje. Këtu bashkë me shëndetësinë do të mbështesim edhe sektorin e arsimit primar dhe sekondar në nivel lokal, për ta trajtuar me legjislacion pasqyrën e vërtetë të problemeve dhe nevojave komunale, në mënyrë që kjo fushë të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Po sigurohemi që të kemi financim të qëndrueshëm të kujdesit dhe shërbimit social, çështje kjo që na garanton kohezion në ecjen e përbashkët si vend dhe shoqëri.
Pa dyshim këto arritje janë sukseset e përbashkëta të komunave, qeverisë, akterëve të shoqërisë civile, mediave dhe përkrahjes së partnereve dhe donatorëve. Ne tashmë kemi ndërtuar një komunikim të vazhdueshëm dhe të strukturuar me komunat përmes forumit konsultativ ‘Qeveri-Komuna’. Ky mekanizëm jo vetëm që do të shërbejë për të adresuar sfidat, por para së gjithash do të jetë një platformë e përbashkët për t’u dalë ballë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve në secilën lagje dhe qytet të Kosovës.
Pa dyshim, ky proces ka edhe sfida që dalin qoftë me mbivendosjen e mekanizmave të vendimmarrjes, politikave ad-hoc, mungesën e standardeve në ofrimin e shërbimeve, apo mungesën e financimit, por pa dyshim se reforma strukturore së bashku me komunikimin e vazhdueshëm do të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme për funksionalitet që i hapë perspektivë të re zhvillimore komunave dhe adreson nevojat e qytetarëve.
Në këtë mes na duhen të shtohen përpjekjet e përbashkëta të shoqërisë civile, mediave, për të raportuar e korrigjuar problemet, na duhet shtuar komunikimi me bizneset, investitorët dhe diasporën për t’i dhënë frymë të re zhvillimit. Po ashtu, na duhet më shumë kontroll e transparencë mbi investimet publike, e po ashtu aq e rëndësishme është vendosja e rregullit dhe kontrollit në zbatimin e ligjit. Duke mos harruar këtu, në rend të parë, ruajtjen e jetës së njerëzve në punë, na duhet më shumë përfshirje e grupeve të margjinalizuara e po ashtu më shumë barazi e trajtim për gratë.
Këto nuk janë çështje të debateve të përplasjeve politike, por para se gjithash përpjekje e përbashkët e shoqërisë për zhvillim dhe për arritjen e synimeve integruese.