Qeverisja lokale ballafaqohet me kapacitete të vogla financiare
Komunat e Kosovës nuk kanë kapacitete financiare, prandaj kërkohet një ndryshim rrënjësor në lidhje me qasjen në politikat fiskale. Kështu është thënë të premten në konferencën “Vetëqeverisja lokale në Kosovë-20 vjet”.
Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, ka thënë se Kosova në këto 20 vjet ka punuar në krijimin e institucioneve të veta, dhe se këtij shteti i duhet një qeverisje e mirë.
Sipas saj, e ardhmja e Kosovës nuk varet vetëm nga Qeveria por edhe nga qytetarët. Në këtë kontekst, Magno ka thënë se Kosova ka nevojë për edukim më të madh të të rinjve dhe grave.
Ajo ka folur për aktivitetin e aktivistëve të programit për transformimin e lidershipit që sipas saj do të ndikojnë në rritjen e transparencës institucionale.
Ndërsa Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka vlerësuar se njëra prej sfidave kryesore në qeverisje lokale janë paqartësitë e kompetencave midis pushtetit qendror dhe atij lokal.
Sipas tij, sfidë tjetër për qeverisjes lokale mbetet edhe plakja e stafit për çka ka kërkuar nga udhëheqësit e këtyre pushteteve të ofrojnë zgjidhje.
Sipas Osmanit për ngritje të efikasitetit të pushtetit lokal nevojitet përdorimi më i madh i digjitalizimit dhe po ashtu zvogëlimi i administratës.
Osmani ka thënë se është e nevojshme edhe reforma zgjedhore me qëllim që kryetarët e komunave të zgjedhjen me një raund zgjedhor.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai i Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.