Qeverisja në Pejë ka degraduar
Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë, Ali Berisha, ka bërë me dije se është rikthyer në krye të kësaj dege për të ristrukturuar dhe fuqizuar atë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se Dega e Aleancës në Pejë do të jetë pretendentja kryesore për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme.
“Duke pasur për bazë punën që duhet bërë në Degën e Aleancës në Pejë si dhe duke pasur parasysh se kjo është një prej degëve më të fuqishme të AAK-së në nivel të Kosovës, është vendosur të vazhdohet me njerëz me përvojë në mënyrë që dega të ristrukturohet, të bëhet një kombinim në mes atyre me përvojë dhe të rinjve me qëllimin e vetëm që kjo degë të jetë fituese në zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur Berisha.
Ai ka thënë se Aleanca në Pejë ka strukturë dhe kapacitete. Berisha ka theksuar se AAK-ja në Pejë do të jetë opozitë e fuqishme dhe konstruktive ndaj qeverisjes aktuale.
“Do të jemi opozitë që do ta ngrehim zërin ndaj dobësive dhe të këqijave në mënyrë që qytetarët e Pejës ta kenë një qeverisje më të mirë”, ka theksuar Berisha. Ai ka vlerësuar se qeverisja në këtë komunë nuk është duke punuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Madje, sipas Berishës, kjo qeverisje ka degraduar në shumicën e aspekteve.
“Peja ka qenë qyteti më i pastër në Kosovë, kurse sot nuk është i tillë. Peja ka qenë destinacion i turizmit, sot nuk është. Ka shumë ndërtime pa leje, nuk është bërë zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në fshatra, si dhe një pjesë e qytetit ka problem me ujërat e zeza”, ka deklaruar ai, duke shtuar se koalicioni qeverisës nuk është duke i realizuar premtimet që i ka dhënë në fushatën elektorale. Sipas Berishës, një prej projekteve më të rëndësishme për të ardhmen e Pejës, “Borea”, ende nuk ka filluar të realizohet.
“Epoka e re”: Z. Berisha, pse vendoset të riktheheni në krye të Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë?
Berisha: Duke pasur për bazë punën që duhet bërë në Degën e Aleancës në Pejë si dhe duke pasur parasysh se kjo është një prej degëve më të fuqishme të AAK-së në nivel të Kosovës, është vendosur të vazhdohet me njerëz me përvojë në mënyrë që dega të ristrukturohet, të bëhet një kombinim në mes të atyre me përvojë dhe të rinjve me qëllimin e vetëm që kjo degë të jetë fituese në zgjedhjet e ardhshme. Pas konsultimeve në mes të strukturave të degës dhe strukturave në nivelin qendror është vendosur që unë të kthehem dhe të kandidoj për kryetar të Degës së AAK-së në Pejë. Është mbajtur kuvendi zgjedhor i degës, ku janë zgjedhur strukturat drejtuese dhe kryetari. Për katër vjetët e ardhshëm unë do të jem kryetar i Degës së Aleancës në Pejë.
“Epoka e re”: Si do ta rikuperoni humbjen e Aleancës në dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme
Berisha: Nuk kemi fituar në dy palë zgjedhje, por në dy mandatet paraprake kemi qenë në qeverisje. I kemi humbur zgjedhjet e fundit bazuar në disa kalkulime joparimore që janë bërë në Degën e Aleancës në Pejë si dhe për shkak të disa koalicioneve joparimore që kanë ekzistuar në komunë. Mirëpo, kësaj radhe do të organizohemi të mos na befasojnë as mekanizmat joparimorë. Do t’i rrisim kapacitetet dhe besoj se do ta kemi mbështetjen e nivelit qendror për ristrukturimin e degës. Aleanca në Pejë ka qenë pesë herë fituese e zgjedhjeve, dy herë e zgjedhjeve lokale dhe tri herë e zgjedhjeve nacionale. Prandaj, kemi strukturë, kemi kapacitete dhe do ta mobilizojmë degën, do ta funksionalizojmë këshillin profesional, si dhe do të jemi opozitë e fuqishme dhe konstruktive ndaj qeverisjes aktuale. Do të jemi opozitë që do ta ngrehim zërin ndaj dobësive dhe të këqijave në mënyrë që qytetarët e Pejës ta kenë një qeverisje më të mirë.
“Epoka e re”: Do të jeni kandidat i Aleancës për kryetar të Komunës së Pejës?
Berisha: Është herët të flitet për këtë çështje. Tash për tash detyrë kryesore kemi riorganizimin, ristrukturimin dhe ngritjen e të gjitha kapaciteteve të degës, shtrirjen më të fuqishme në terren si dhe funksionalizimin e të gjitha nëndegëve që dikur i kishte Aleanca në Pejë. Mirëpo, kurdo që të jetë koha e nevojshme do ta kemi edhe kandidaturën për kryetar të Komunës së Pejës që nuk do të thotë se do të jem unë, por do të jetë ai që do t’i fitojë zgjedhjet.
“Epoka e re”: Por nuk përjashtohet mundësia që ju të jeni kandidat?
Berisha: Asgjë nuk përjashtohet. Do të jetë njeriu adekuat për t’i fituar zgjedhjet.
“Epoka e re”: Pse jeni kaq i bindur se kandidati i Aleancës do të jetë fitues?
Berisha: Këtë e bazoj në nevojën aktuale, në ristrukturimin dhe mobilizimin e partisë që është bërë në shumicën e nëndegëve. Do të thotë, suksesin e bazoj në strukturën dhe mobilizimin e degës dhe në punën që do ta bëjmë. Këtë e bazoj edhe në punën jo të mirë që aktualisht po e bën qeverisja komunale në Pejë, ku çdo ditë qytetarët janë të zhgënjyer.
“Epoka e re”: Mund të ndikojë në fuqizimin e Aleancës në Pejë rikthimi juaj dhe qeverisja e Aleancës në nivel qendror?
Berisha: Qeveria aktuale në nivel qendror është duke bërë punë të rëndësishme për Kosovën. Po kryhen detyrat të cilat kanë pritur vite të tëra për t’u zgjidhur. Qeveria aktuale nuk po i mban në sirtarë çështjet problematike, por po i zgjidh një nga një. Edhe në të ardhmen besoj se qeveria Haradinaj do t’i realizojë gjërat qenësore siç janë zhvillimi ekonomik, ushtria dhe liberalizimi i vizave. Kjo do të na ndihmojë të jemi ballëhapur nëpër degët ku konkurrojmë për t’i qeverisur komunat. Në Komunën e Pejës do të realizohen shumë projekte zhvillimore, sidomos të aspektit turistik në zonën e Rugovës.
“Epoka e re”: Z. Berisha, në përgjithësi çfarë vlerësimi keni për qeverisjen në Pejë?
Berisha: Qeverisja aktuale në Pejë më tepër merret me reklamimin e punëve të pakryera sesa që ka punuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Peja ka qenë qyteti më i pastër në Kosovë, kurse sot nuk është i tillë. Peja ka qenë destinacion i turizmit, sot nuk është. Ka shumë ndërtime pa leje, nuk është bërë zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në fshatra, si dhe një pjesë e qytetit ka problem me ujërat e zeza. Po ashtu, nuk po realizohet projekti turistik ‘Borea’ me anë të të cilit janë fituar zgjedhjet. Ky projekt është ëndërr e qytetarëve të Pejës, por realizimi i tij ende nuk ka filluar. Qytetarët po e shohin se ky ka qenë vetëm një premtim sa për të ardhur në pushtet. Qeveria ka pasur mbështetje nga niveli qendror, sidomos për disa rrugë nëpër fshatra, të cilat nuk mjaftojnë për ta quajtur të suksesshme këtë qeverisje. Kështu që, mendoj se në shumicën e aspekteve qeverisja në Pejë ka degraduar, prandaj në mandatin e ardhshëm besoj se qytetarët do ta mbështesin një vizion tjetër dhe një parti tjetër politike për ta udhëhequr komunën.
“Epoka e re”: Si ishte e mundur që pas keqqeverisjes në mandatin e parë kryetari aktual t’i fitojë zgjedhjet pa balotazh?
Berisha: Ai ka fituar falë mbështetjes së partive politike të caktuara të cilat kanë besuar në realizimin e projektit ‘Borea’. Falë këtij premtimi ai ka fituar përkrahjen e një pjese të madhe të qytetarëve dhe me votat e atyre ka fituar pushtetin. Sot e kësaj dite ky projekt nuk ka filluar të realizohet. Edhe partitë që janë pjesë e koalicionit po e shohin se nuk duhet të mbështeten premtimet e parealizueshme. Po ashtu, pavarësisht prej premtimeve të dhëna, gjendja në arsim dhe në shëndetësi nuk është e mirë.
“Epoka e re”: Si kryetar i Degës së Aleancës në Pejë, çfarë do të bëni për ta përmirësuar këtë qeverisje?
Berisha: Do t’i ngrehim ekipet profesionale për përcjelljen e punës së komunës duke i bërë publike të gjitha të gjeturat. Do t’i publikojmë premtimet që janë dhënë, por që ende nuk janë realizuar, sepse qytetarët po mashtrohen me projekte megalomane dhe të pashfrytëzueshme për komunën tonën. Përmes mekanizimit të këshillit profesional dhe përmes këshilltarëve komunalë do të bëjmë një opozitë konstruktive, të fuqishme, duke potencuar nevojat e qytetarëve dhe ofrimin e një alternative serioze për të qeverisur në të ardhmen në Pejë.
Shqipe HETEMI