Qeverisja në Prizren nuk ka treguar nivelin që kanë pritur qytetarët
Kryetari i ri i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prizren, Shaqir Totaj, beson se zgjedhjet e brendshme e kanë fuqizuar këtë subjekt politik.
Ai ka deklaruar se ky proces ka ndikuar që të bëhet një ripërtëritje e resurseve në degët dhe strukturat e tjera të PDK-së. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai është shprehur i bindur se rezultati i zgjedhjeve të reja nacionale do të jetë në favor të këtij subjekti politik.
“Unë besoj se ka indikatorë relevantë për të krijuar një besim të bazuar të performancës dhe rrjedhimisht rezultati i zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë i disfavorshëm për PDK-në. Një nga këta indikator është fakti se procesi i brendshëm zgjedhor ka qenë i suksesshëm”, ka thënë Totaj.
Ai ka vlerësuar se procesi i zgjedhjeve të brendshme në PDK ka qenë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. “Po ashtu, kemi edhe ndryshim në postin e kryetarit të Degës në Prizren. Vlen të përmendet fakti se tashmë dy ministra të qeverisë aktuale janë zgjedhur kryetarë të degëve në qytetet prej nga vijnë, që mendoj se këto janë argumente për ta përkrahur konceptin e Dekadës së Re, koncept ky i cili me arsye pritet se do të kontribuojë në procesin e mëtutjeshëm të fuqizimit të PDK-së, proces ky i cili tashmë ka filluar”, është shprehur Totaj.
I pari i PDK-së në Prizren ka treguar se vetëm në këtë degë kanë marrë pjesë në proces mbi 9 000 anëtarë të grupmoshave dhe të profesioneve të ndryshme. Totaj ka treguar edhe për qëllimet e takimeve që tani po zhvillon me strukturat e reja të partisë. “Qëllimi i këtyre takimeve është të kontribuojmë në ngritjen e cilësisë së relacioneve të brendshme mes strukturave të Degës së PDK-së në Prizren, si parakusht i rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së aktiviteteve dhe angazhimeve tona”, është shprehur ai.
Totaj ka kritikuar qeverisjen aktuale në Prizren, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, qeverisja komunale në këtë komunë as përafërsisht nuk është treguar në nivel të pritjeve të qytetarëve. “Kur e them këtë kam parasysh faktin e mungesës së performancës në shumë sektorë, ndër të cilët kisha veçuar: rininë, kulturën dhe sportin, arsimin, prokurimin, menaxhimin e resurseve humane si dhe sektorë të tjerë. Është një shembull tipik i keqpërdorimit të besimit të dhënë nga qytetarët të cilët kanë pritur ndryshime dhe ndryshimet kanë ndodhur, por jo për të mirë”, ka thënë Totaj.
“Epoka e re”: Z. Totaj, që një kohë jeni zgjedhur në krye të Degës së PDK-së në Prizren. Si ju ka pritur elektorati i PDK-së dhe cilat janë aktivitetet që keni ndërmarrë prej zgjedhjes suaj?
Totaj: Si finalizim i një procesi transparent dhe korrekt të zgjedhjeve të brendshme në Degën e PDK-së në Prizren e kemi pasur kuvendin e degës, ku unë jam zgjedhur kryetar i Degës së PDK-së në Prizren. Elektorati i PDK-së, i cili edhe më ka zgjedhur, më ka pritur me entuziazëm dhe ky fakt tek unë ndikon si burim i energjisë për t’u marrë me sfidat që na presin në të ardhmen. Unë tashmë kam filluar takimet me pjesë integrale të strukturës së degës. Kemi realizuar takime me grupin e asamblistëve, me kryetarët e nëndegëve, me kryesinë e rinisë demokratike dhe me kryesinë e gruas demokratike. E kemi krijuar një orar të takimeve me kryetarin dhe kryesinë e çdo nëndege, ku deri më tani janë mbajtur tetë takime me nëndegë të ndryshme dhe të tjerat do të realizohen tërësisht deri në pjesën e parë të korrikut.
“Epoka e re”: Cili është qëllimi i këtyre takimeve?
Totaj: Qëllimi i këtyre takimeve është të kontribuojmë në ngritjen e cilësisë së relacioneve të brendshme mes strukturave të Degës së PDK-së në Prizren si parakusht i rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së aktiviteteve dhe angazhimeve tona.
“Epoka e re”: Zgjedhjet e brendshme në PDK po shkojnë drejt përfundimit. Sa besoni se e ka fuqizuar PDK-në ky proces?
Totaj: Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PDK ka qenë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi vetëm në Degën e Prizrenit kanë marrë pjesë mbi 9 000 anëtarë të grupmoshave dhe të profesioneve të ndryshme. Mendoj se ky proces ka ndikuar që të bëhet një ripërtëritje e resurseve në poste në pjesë të ndryshme të strukturës së degës. Kur e them këtë e kam parasysh se një numër i madh i kryetarëve të nëndegëve janë persona që me parë nuk kanë qenë në këto poste. Po ashtu, kemi edhe ndryshim në postin e kryetarit të Degës në Prizren. Vlen të përmendet fakti se tashmë dy ministra të qeverisë aktuale janë zgjedhur kryetarë të degëve në qytetet prej nga vijnë, që mendoj se këto janë argumente për ta përkrahur konceptin e Dekadës se Re, koncept ky i cili me arsye pritet se do të kontribuojë në procesin e mëtutjeshëm të fuqizimit të PDK-së, proces ky i cili tashmë ka filluar.
“Epoka e re”: Disa sondazhe nuk e nxjerrin mirë PDK-në si parti. Sa besoni se në zgjedhjet e ardhshme kjo parti do t’i përmbysë këto mesazhe?
Totaj: Sondazhet gjithmonë duhen marrë seriozisht, pavarësisht se në çaste të caktuara mund të mos jemi të kënaqur me rezultatet që i prezantojnë, sepse ato na tregojnë ku mund të jenë fushat tona për përmirësim. Unë besoj se ka indikatorë relevantë për të krijuar një besim të bazuar të performancës dhe rrjedhimisht rezultati i zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë i disfavorshëm për PDK-në. Një nga këta indikator është fakti se procesi i brendshëm zgjedhor ka qenë i suksesshëm.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen komunale në Prizren?
Totaj: Mendoj se qeverisja komunale në Prizren as përafërsisht nuk është treguar në nivel të pritjeve të qytetarëve. Kur e them këtë kam parasysh faktin e mungesës së performancës në shumë sektorë, ndër të cilët i kisha veçuar: rininë, kulturën dhe sportin, arsimin, prokurimin, menaxhimin e resurseve humane si dhe sektorë të tjerë. Është një shembull tipik i keqpërdorimit të besimit të dhënë nga qytetarët të cilët kanë pritur ndryshime, dhe ndryshimet kanë ndodhur, por jo për të mirë. Nuk më gëzon fakti se është kështu, sepse kualiteti i jetës në qytetin e Prizrenit nuk po ngritët, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të mos i evidentoj lëshimet e shumta të cilat po ndodhin. Ky është një argument se koalicioni qeverisës, sidomos LV-ja, nuk ka vizion për ngritje të kualitetit të jetës institucionale dhe se nuk shquhet për qasje konstruktive, proaktive dhe energji pozitive për të cilën gjë më së shumti kemi nevojë tani.
“Epoka e re”: Meqenëse ju vazhdimisht e kritikoni qeverisjen në këtë komunë, a do të thotë kjo që ju sërish do të garoni për të parin e Prizrenit?
Totaj: Mendoj se PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme lokale në Prizren, kurdo që të mbahen ato, do të dalë me një ofertë serioze për qytetarët e Prizrenit dhe do të jetë e përfaqësuar denjësisht, pavarësisht se kush do të jetë kandidati.
Muhamet KOCI